Një violinist kaq i talentuar, sa njerëzit menduan se ia kishte shitur shpirtin djallit. Kompozitor, violinist, kitarist italian, falë virtuozitetit dhe dhuntisë së tij legjendare, Nikolo Paganini është i pari që provokoi reagime të publikut të krahasuara me ato të një rokstari. Risitë që solli në teknikën e instrumentit e bëjnë të konsiderohet babai i violinës moderne./Konica.al
Kishte nga ata që mendonin se ishte një Perëndi e melodive metaforike, të tjerë mendonin se virtuozitetin e jashtëzakonshëm e kishte nga një marrëveshje me djallin. Po cila ishte historia e vërtetë pas aftësisë gjeniale të Nikolo Paganinit?
Lindur më 27 tetor 1782 në Xhenova të Italisë, Nikolo Paganini ishte një muzikant pabesueshmërisht i talentuar dhe konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Filloi të luante me mandolinë kur ishte pesë vjeç, përpara se të merrte violinën në moshën shtatëvjeçare dhe të jepte shfaqjen e parë publike në moshën 11-vjeçare në Xhenova. Kur ishte vetëm 15-vjeç, adoleshenti i talentuar filloi të luante i vetëm në turne. Shekulli XIX prodhoi një numër violinistësh të jashtëzakonshëm – por asnjë si Paganini. Talenti i tij ishte kaq përtej atij të bashkëkohësve, saqë njerëzit filluan të besojnë se ai kishte bërë vërtet pakt me djallin. Madje, u përfol se nëna e Paganinit e kishte shitur shpirtin e tij te djalli, në mënyrë që të bëhej virtuozi më i madh në histori.
Kur ishte 13-vjeç, Pagani u dërgua të studionte me violinistin dhe mësuesin e famshëm Alessandro Rolla. Rolla e pikasi shpejt talentin e Paganinit dhe vendosi se nuk kishte ç’t’i mësonte tjetër. Kështu që e kaloi atë tek mësuesi i tij, Ferdinando Paer, i cili më vonë iu dërgua mësuesit të tij, Gasparo Ghiretti.
Paganini i ri ishte padyshim fëmija mrekulli. Mirëpo, kur në moshën 15-vjeçare ndërmori i vetëm turneun, pati një dobësim të fuqisë dhe u dha pas alkoolit
Fama e violinistit e shndërroi në një kumarxhi, në një pijanec dhe në një feminist të harbuar. Madje asokohe u përhap thashethemnaja se Paganini kishte vrarë gruan që dashuronte, zorrët ia përdori si tela violine dhe shpirtin ia burgosi brenda instrumentit. Klithmat e gruas thuhej se dëgjoheshin nga violina e tij kur interpretonte në skenë.
Një gjë ishte e sigurt: mjeshtëria e Paganinit në violinë ishte e pakrahasueshme. Ai ishte një nga violinistët e parë solo që performoi publikisht pa partiturë, duke preferuar ta mësonte gjithçka përmendësh. I njohur posaçërisht për kryeveprën “24 kapriçio” për violinë solo, Paganini ndihmoi në popullarizimin e teknikave të disa telave, siç janë përkulja e harkut – spiccato, si dhe pizzicato-in me dorën e majtë. Thuhet se mund të luante 12 nota në sekondë – një akt i arritur më vonë nga violinisti David Garrett, i cili luajti Paganinin në “Violinisti i djallit”, një film i vitit 2013, bazuar në historinë e jetës së kompozitorit./Konica.al
Paganini ishte me pamje goditëse: me faqe të futura, lëkurë të zbehtë dhe buzë të holla. Ishte shumë i gjatë dhe i hollë, shpesh vishej me të zeza. Po ashtu, kishte gishta shumë të gjatë, të hollë të papërmbajtshëm për të kaluar nga një instrument në tjetrin, nisur edhe nga mospërdorimi i partiturave, ai i drithëronte telat në mënyrë të atillë sa njerëzit e etiketuan “Njeriu llastik”.
Në ditët e sotme, besohet se gjatësia e pazakontë e gishtave të Paganinit, e cila i lejonte të luante tre oktava në një kalim dore, ishte për shkak të sindromës Marfan, një çrregullim gjenetik. Njëlloj aftësia e tij për të luajtur me shpejtësi të jashtëzakonshme mund t’i atribuoht sindromës Ehlers-Danlos, një çrregullim që shkakton fleksibilitet të rritur dhe mungesë koordinimi.
Violina gjithashtu u cilësua nga disa si instrument i djallit, kështu që në tërësi nuk është për t’u habitur që qarkullonin thashethemet për një marrëveshje me djallin. Disa madje menduan se Paganini mund të ishte vetë Djalli.
Paganini ishte i sëmurë pjesën më të madhe të kohës. Vuajti nga sifilizi në 1822, u kurua nga tuberkulozi në 1834. Dobësimi i tepërt e detyroi të tërhiqej nga jeta skenike në moshën 54-vjeçare dhe vitet e fundit i kaloi duke dhënë mësime violine.
Paganini vdiq nga kanceri i laringut më 27 maj 1840 në Nisë të Francës. Para se të vdiste, ai largoi një prift që i ofroi ritet e fundit, lutjet e fundit që marrin katolikët në fund të jetës së tyre. Më pas, Pagani tha se e largoi priftin, ngaqë besonte se nuk do të vdiste, por ata që besonin se kishte bërë pakt me djallin nuk e hëngrën këtë rreng.
Një javë më vonë Paganini vdiq, pa marrë ritet e fundit dhe kisha lokale nuk pranoi ta varroste trupin e tij në tokë të shenjtë, edhe pse ishte anëtar i Urdhrit Golden Spur. Gjatë katër viteve të ardhshme, kufoma e tij do të transportohej në një turne të jashtëzakonshëm në Evropë. Trupi i tij i balsamosur u la në shtratin e vdekjes në Nisë për dy muaj, përpara se të transferohej në bodrumin e shtëpisë ku qëndroi për më shumë se një vit.
Pasi kisha lokale nuk pranoi ta varroste, trupi i tij u dërgua më vonë në një shtëpi të braktisur lebrozësh, për tu transferuar më pas në një vaskë të çimentuar në një fabrikë vaj ulliri dhe më vonë në një shtëpi privatë afër Nisës.
Pothuajse katër vjet pas vdekjes së tij, Papa Gregori XVI lejoi që trupi i violinistit të transportohej në Xhenova dhe ai më në fund u vendos të pushojë në Varrezat “La Villetta” në Parma, Itali – rreth 200 km nga vendlindja e tij në Xhenova./Konica.al