Historia e futbollit ka dhuruar përballje nga më të ndryshmet, me zënka dhe grushte, përplasje verbale dhe shumë e shumë gjeste të tjera antisportive.
Por asnjë ndeshje nuk i ngjan asaj të 22 tetorit 1969, kur Milan ngriti Kupën Ndërkontinentale pas triumfit kundër Estudiantes. Kjo sfidë është cilësuar si më e dhunshmja në historinë e futbollit.
Ekipi italian kishte fituar duelin e parë 3-0 në “San Siro” dhe natyrisht kishte “prekur” trofeun, që asokohe vlerësohej shumë. Ndeshja e kthimit u zhvillua në “Bombonera”, një nga stadiumet më të zjarrta të botës.
Në fillim u duk gjithçka normale, deri kur kapiteni Gianni Rivera shënoi gol për Milanin. Edhe pse vendasit argjentinas përmbysën shifrat në 2-1 që në pjesën e parë dhe kishin shanse të fitonin trofeun, ndeshja degradoi në dhunë.
Futbollistët italianë Pierino Prati, Gianni Rivera dhe Nestor Combin pësuan ndërhyrje të rënda pa top. Ndeshja përfundoi me fytyrën e deformuar të franko-argjentinasit që luante me Milanin, Combin.
Kjo gjë nuk e pengoi policinë që ta arrestonte atë pasi mbaroi ndeshja, me akuzën se nuk kishte kryer shërbimin ushtarak. Ai u lirua më pas, kur u sqarua se shërbimin ushtarak e kishte kryer në Francë dhe nuk ishte i detyruar ta kryente edhe në Argjentinë.
Rivera u godit me grusht nga portieri i Estudiantes, Alberto Poletti, dhe 3 futbollistë të ekipit argjentinas u arrestuan për dhunën e ushtruar në fushë. Gjithashtu, Poletti u pezullua përgjithmonë nga futbolli, ndërsa Ramon Suarez, i cili i theu hundën Combinit, u dënua me 5 vite pezullim.
“Isha me fat. Mendova se në atë stadium do të vdisja. Hunda ime u shkatërrua dhe fytyra u deformua. U deshën disa muaj që të luaja sërish futboll. Atë natë e kalova në burg dhe ishte nata më e tmerrshme e jetës sime”, – tha për spanjollen AS argjentinasi Combin.