Premierë për publikun në Teatrin e Metropolit, “Heroides” u inskenua mbrëmjen e djeshme. Në skenën shqiptare, shfaqja erdhi me interpretimin e gjashtë artisteve të huaja. “Heroides”, është një përmbledhje letrash shkruar nga Ovidi.
Në skenë interpretuan Giorgia Cocozza, Alessandra De Luca, Angela De Gaetano, Emanuela Pisiçhio, Maria Rosaria Ponzetta dhe Andjelka Vulic. Kjo shfaqje erdhi për publikun falë një bashkëpunimi nga teatri Metropol me teatrin italian “Koreja”, që vjen nga Leçe.
Në materialin për veprën thuhet se Ovidio i imagjinon heroinat e mitit të kujdesshme për t’u shkruar letër burrave të tyre, duke u rrëfyer për dashurinë, braktisjen, tradhtitë. Për herë të parë në historinë e letërsisë përballemi me një roman epistolar, ku gratë i adresojnë mesazhin e tyre heshtjes dhe mungesës së tjetrit.
Zëri i poetit ndërthuret me zërin e tyre për të treguar tërë mitin, por edhe për t’i dhënë një dritë të veçantë dhe shpesh ironike fatit të grave, vuajtjeve të tyre të padrejta, cilësive të tyre shpesh të injoruara, të zhgënjyera, të tretura.
Në materialin për veprën shpjegohet, se ai e bën këtë me ironinë e inteligjencës dhe të krijimit, e njëjta që ka mbështetur shumë gra në udhëtimin e tyre, e njëjta gjë që i bën artistët krijesa pa seks dhe identitet, të përkushtuar ndaj krijimit dhe ri interpretimit të historive dhe personazheve më të larmishme pa gjykuar, por duke u përpjekur për të kuptuar.
“Duke ndjekur shembullin e ndritshëm të Ovidit, i cili bëhet mediumi i një kori që shpesh herë është hedhur poshtë nga historia, u japim zë dhe trup disa heroinave të mitit, pak a shumë të famshme si Fillide, Enone, Arianna, Canace, Fedra dhe Medea. Ato janë ironike dhe tragjike në të njëjtën kohë, ashtu si dhe vetë jeta, ato janë dado, korifej, mikesha, motra, nëna, gjyshe, halla dhe komentojnë, marrin pjesë, bien në kundërshtim, gjykojnë, ndryshojnë mendim, mallëngjehen, ndryshojnë.Një vepër në muzikë, ku hasen këngë të lashta që zgjojnë ndjenjën e lidhjes me tokën, ku njeriu lind për t’u zgjeruar e më tej, vështrimi drejt gjithë botës”, – thuhet në përshkrimin për “Heroinat”.
Një udhëtim në kohë drejt tragjedisë antike dhe mitit, që e shndërron dhimbjen në buzëqeshje, duke e bërë atë jetë dhe ushqim për një vizion të ri, në të cilin lufta për shtypjen midis gjinive është vetëm një kujtim i së cilës duhet të argëtohesh me lehtësim, një fazë marrëzie për të ndaluar udhëtimin e njerëzimit.
Gratë rifitojnë zërin e tyre, gjithashtu dialogojnë me Ovidin dhe gjenitë e tyre paraardhës, të cilët ngritën e themeluan artin dhe kulturën, duke praktikuar tmerrin e skllavërisë dhe përmes brishtësisë së tyre, bëhen dëshmitarë të brishtësisë dhe varfërisë së shumë të tjerëve, burra, gra, fëmijë.
Shfaqja u mundësua edhe nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në kuadër të javës së XIX të gjuhës italiane në botë.