Vjen në Gostivar, festivali ndërkombëtar i teatrit “Othello”. Nga 3 deri më 8 nëntor, qendra e kulturës “KAÇKM”, do të jetë arena artistike. Festivali do të ccelet me “Jashtë bie borë”, nga Teatri i Tetovës, nën regjinë e Qëndrim Rijanit, pjesë teatrale kjo, jashtë garës. Ndërkohë, gjatë këtij festivali do të prezantohen gjashtë shfaqje.
Shoqata për kulturë “Othello”, njëherësh organizatore e festivalit, paralajmëroi sot programin, duke prezantuar pjesëmarrësit e këtij edicioni.
“Këtë vit, arritëm të sigurojmë pjesëmarrje të më shumë teatrove nga Ballkani, me çka publikut të teatrit do t’i mundësojmë, t’i përcjellin shfaqjet në më shumë gjuhë dhe zhanre. Zgjedhjen e bëri seleksionuesi Qëndrim Rijani dhe si organizatorë, vlerësojmë se festivali është ngritur në nivel më të lartë, duke e pasur parasysh faktin se, në realizimin e shfaqjeve janë angazhuar mbi 140 punonjës të teatrit”, – tha Berat Saliu, producent.
Në kuadër të festivalit, që do të mbyllet me 8 nëntor, çdo natë do të vije me një shfaqje teatrale.
Adhuruesit e lojës së teatrit, nga e hëna deri të premten, do të mund t’i shohin shfaqjet e tilla, si: “Aj Karmella”, të teatrit ushtarak SAPTPT, në regji të Robert Raponjas, vijon me “Krimi i shekullit 21”, të Teatrit popullor “Jordan Haxhi Konstantino-Xhinot”, nga Velesi, me regji nga Vlladimir Millçin, vazhdon shfaqja “Pesë periudhat e armikut të popullit”, të Qendrës multimediale nga Prishtina, regjia nga Blerta Neziraj.
Ndërkohë, do të prezantohen edhe shfaqjet “Lindja e Barbarës”, të Teatrit popullor nga Bursa e Turqisë, me regji nga Eçe Okaj, si dhe shfaqja “Shirli Valentina”, nga teatri “Aleksandar Moisiu”, Durrës, me regji nga Driada Dervishi.
Juria e festivalit, do të ndajë katër çmime: shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, si dhe aktorja dhe aktori më i mirë, të cilët do të marrin vlerësimin, krahas shpërblimit monetar.
Shfaqjet nisin nga ora 19:00, ndërsa mbrëmjen e fundit, më 8 nëntor, do të ndahen edhe çmimet fituese.