Ndonjëherë nuk merr rëndësi për letërsinë vetëm dita e lindjes apo vdekjes së një shkrimtari, por edhe dita e lindjes së veprës së tij. Botimi i këtij libri është pa dyshim rast për t’u festuar: ditëlindja në shqip e poetit Paul Celan për herë të parë, përmes vëllimit poetik “Lulëkuqja dhe kujtimi”, që e bëri atë të njohur në të gjithë hapësirën gjermanisht folëse e më pas kudo në botë.
Autori më domethënës i lirikës simboliste dhe surrealiste gjermane na shpërfaq që në poezitë e tij të para, të të parit vëllim poetik “Lulëkuqja dhe kujtimi”, kualitetin e lartë të vargjeve; këtu çdo poezi është një vepër arti më vete, dhe jo aq e thjeshtë për t’u kuptuar nga çdokush.
Versi poetik endet midis jetës dhe vdekjes, midis kujtimit dhe harresës, midis luleve që çelin dhe zjarrit zhuritës, polaritet ky që kuptohet qysh në titullin e vëllimit. Paul Celan-i ishte i pari poet i gjuhës gjermane, që faktet e tmerrshme dhe përvojat e Holocaust-it i përktheu në lirika.
Vëllimi poetik “Lulëkuqja dhe kujtimi” theu heshtjen shtypëse të fajit dhe njëkohësisht pohoi traditën dhe aftësinë ripërtëritëse të poezisë gjermane. Këtij vëllimi poetik i takon edhe “Fuga e vdekjes”, poema më e famshme e periudhës së pasluftës dhe më identifikuese e Paul Celan-it, që shpreh përmes një perceptimi krejt origjinal trishtimin e madh njerëzor mbi shfarosjen e hebrenjve nga nazionalsocializmi, ky “Mjeshtër nga Gjermania”.
Për vetë mënyrën e shprehjes së ndjesive, ripërcaktimin e koncepteve klasike të poezisë gjermane, shkallën e lartë të ngjeshjes së figurave, formën krejtësisht në përputhje me emocionalitetin, por sidomos për muzikalitetin –poezitë e vëllimit “Lulëkuqja dhe kujtimi” janë krejt të freskëta dhe bashkëkohore.
Anna Kove – poete, përkthyese