MENU
klinika

Letër Senatit Venedikas

Fitorja e shqiptarëve kundër Sulejman Pashës

20.09.2018 - 12:28

Në luftrat e shumta që kanë bërë shqiptarët kundër turqve alenacat kanë qenë të shumta. Një nga këto aleanca ka qenë ajo e shqiptarëve me Venedikun kundër Perandorisë Osmane. Këto marrëdhënie kanë ndihmuar në përforcimin e rezistencës për një periudhë kohe. Në një letër të të dërguar senatit venedikas për luftën e shqiptarëve nga i dërguari i Venedikut Xhirolamo Korner proveditor më 1683 shkruhej:

I shkëlqyeshmi senat do të shohë [në këtë relacion që po dërgoj] fitoren e rëndësishme që kanë korrur kuçasit dhe të tjerë të Maleve Shqiptare dhe me sa dashamirësi zoti perëndi u jep dorë edhe në këto vise fitimeve dhe dobive më të mëdha të atdheut, duke mbështjelluar shestimet e zeza të armiqve dhe duke e bërë përherë më të lavdishëm të nderuarin emër të kthjelltësisë suaj.

Sulejman pasha, i zemëruar kundër po atyre [malësorëve shqiptarë], sepse ata bënin marrëveshje me mua duke nisur pranë meje krerët e tyre dhe sepse nuk ia kishte dalë t’u merrte pengjet, vendosi t’i nënshtronte me forcën e armëve.

Pasi mblodhi një ushtri të konsiderueshme prej 7 mijë luftëtarësh, pasi bëri që pasha i Hercegovinës me të gjithë ushtarët e vet të dlte mbi ata [malësorë] nga ana tjetër, dhe, pasi u ujdis me pashën e Bosnjës për diversionin në kufijtë e Dalmatisë, u nis më 20 të muajit të kaluar për t’i sulmuar.

Ata[malësorët] qysh më parë kishin zënë vendet (pozitat) më të mira dhe kishin marrë në befasi fortesën e Medunit, të ngritur prej turqve për të mbajtur në fre malësorët.

Këta morën guxim nga siguria siguria e ardhjes sime në këtë anë dhe nga nisja e ndihmave që me urdhrin tim u bë me shpejtësi[duke dërguar] në Nikshiq guvernatorin e Rizanos, Rico, me një shpurë të madhe territorialësh (ushtarësh) dhe në Grahovo kolonelin Fanfonja me një trup tjetër tejdetarësh(mercenarësh) dhe distriktualësh (ushtarësh të rrethit) për t’u bashkuar me ata popuj dhe për të vrapuar ku do ta kishte lypur nevoja.

Pasi hetuan se ushtria e [e Sulejmanit] ishte futur ndër male, zbritën bashkërisht me trimëri të madhe për të sulmuar. Pas një luftimi të gjatë e të përgjakshëm, turqit u detyruan më në fund të tërhiqeshin duke u vënë në ikje të turpshme.

Por [malësorët]i ndoqën me armë të bardha dhe bënë kërdi të madhe pa mundur përpjekjet e furishme të pashës t’ua prenin hovin.

Dhe armiqtë, duke mos mundur të tërhiqeshin nëpër rrugën e zakonshme, sepse u kishte qenë zënë [nga malësorët], me shumicë u rrokullisën nga shkëmbinjtë kurse një mijë e pesëqind qenë bërë copë-copë, përveç shumë të tjerëve që ikën të plagosur.

Si pa Sulejmani vrasjen e zezë të të vetëve, duke mos mundur t’i ndalonte e t’i rregullonte ata që ishin shpërndarë, edhe ai solli shpinën dhe më pak veta shpëtoi në Podgoricë. Kështu, në dorën e fitimtarëve, të cilët pësuan humbje të pakta, mbeti plaçka e të mundurve: shatorre, daulle, nakare (çapare) dhe një sasi e madhe armësh, shumë flamuj dhe bagazh.

Ndër të vdekur numërohen shumë titullarë kryesorë: sanxhakbejlerë, agallarë, qehallarë, haznadarë e kapixhinj nga Podgorica, Shkodra, Tivari, Dukagjini dhe Ohri. Duke qenë pra në festë ata popuj për një fitore kaq të shënuar, shumica e atyre krerëve janë paraqitur për të më njoftuar suksesin e lumtur, për të më dorëzuar disa flamuj armiq dhe për të më blatuar, si dëshmi besnikërinë e tyre, fortesën e pushtuar, me dëshirë që ta shohin nën flamurin e shën Markut.

Ata luten për ndihma. Ngulin këmbë që armët e Republikës të lëvizin drejt Shqipërisë, duke pohuar se e kanë të pamundur të mbahen nëse nuk mund të shkojnë ndër tregje dhe nëse nuk do të hapët një rrugë nëpër të cilën të jetë e lehtë trasporti i gjërave të nevojshme.

[Ata thonë] Se pa ndihmën e fuqishme publike [të Republikës] humbja e tyre është e pashmangshme, meqënëse Sulejman pasha ka dërguar te bejlerbeun i Rumelisë për të kërkuar përforcime [ushtarësh] turq, me qëllim të përsëriten përpjekjet për t’i shtypur [malësorët].


Kësaj ata [krerë] i shtojnë edhe kërkesat për pagat që kanë për të marrë, si mirënjohje për aksionin e tanishëm, sikundër ju do të denjoni të merni njoftim nga dëshmia dhe letrat e tyre që po bashkangjiten.
Unë i kam pritur duke u shfaqur çdo dashamirësi, i kam lavdëruar për operacionin, i kam siguruar për mirëdashjen dhe pëlqimin e Republikës. Dhe, për të dëshmuar këtë, unë bëra që të kremtohet fitorja në praninë e tyre, me falenderimet e duhura zotit perëndi, dhe ata treguan kënaqësi shumë të madhe.

Do të përpiqem që, për të tjerat, të veproj në mënyrë që, brenda mundësive, ata të mbeten të kënaqur dhe t’u përmbahen qëllimeve të nderuara të shkëlqesive tuaja dhe porosive që, më se një herë, më keni dhënë.

Ndërkaq, unë jam i gëzuar në shpirtin tim për ndërmarrjen në këtë anë për zbatimin e përpiktë të urdhrave të mi nga ana e të përndriturit zot proveditor ta jashtzakonshëm të Kotoit, Kalbo, i cili pa vonesë ka dërguar ndihma ashtu edhe nga ana e kalorsit Bolica që, me kujdes, më ka mbajtur të informuar për ngjarjet dhe i ka siguruar ata popuj për ardhjen time dhe për ndihmat. [këta të dy] kanë kontribuar shumë në një operacion kaq të madh e të shënuar, qoftë sepse operacioni është i tillë, qoftë për rrjedhimet e tij.

Sigurisht, në luftën e tanishme, nuk ka ndodhur një veprim më i përgjakshëm se ky as me rëndësi më të madhe. Sepse, nga sa do të denjoni të merrni njoftim prej atyre që ë ka thënë ky i përndituri zoti proveditor Dona, dhe prej dëshmisë së të dërguarit që është kthyer nga Adrianopoli, ju do t’i shikoni cilët janë planet që shestojnë armiqtë.

Këta nga ana e Shqipërisë, mendonin të shkatërronin fare kuçasit, piprasit dhe të tjerët, kurse, nga ana e Hercegovinës, të nështronin nikshiaqsit, drobnjacasit e të tjerë, dhe kështu, duke u bashkuar forcat e dy pashallarëve, synonin dhe kishin vendosur të rrënonin, jo vetëm Grahovon dhe të shkretnin tokat pjellore e të popullzuara të asaj pjace, por edhe tentonin ndonjë hap kundër vetë fortesës.

Po kështu, me qëllime e drejtime të njëjta, pasha i Bosnjës duhej t’i shkonte në ndihmë Kninit dhe të shqetësonte murlakët. Por unë duhet të besoj se edhe në atë anë do të jetë arritur sukses i çmuar, që armiqtë edhe më shumë, dhe zoti preveditor i përgjithshëm i ngarkuar aty ka qenë lajmëruar siç duhet qe të ketë mendjen e të përpiqet për të përfituar sipas konjunkturave.

Shumë mirë e kupton urtësia e pjekur e të shkëlqyeshmit senat, të cilit çdo gjë po e paraqes me sinqeritetin e qartësinë e zakonshme time, sa rëndësi ka të keshë në varuni këta popuj, minierë e bollshme në çdo kohë për ushtarë trima, që janë armiqësuar me turqit duke pasur besim në ndihmën e mirësishme publike [të Republikës], të cilët unë i kam nxitur në zbatimin e detyrave më të nderuara që u vë kthjelltësia juaj, dhe veçanërisht të atyre [detyrave] që janë treguar në [letrat] dukale të 13 dhjetorit të kaluar.
Xhirolamo Korner proveditor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN