MENU
klinika

Euro 2020

UEFA në hall të madh po u kualifikua Kosova

14.11.2019 - 17:26

Kosova do të luajë sonte në Çeki dhe më 17 nëntor pret Anglinë, në kuadër të fushatës kualifikuese Euro 2020. Dardanët kanë shanse për Europianin, por për UEFA-n do të ishte hall më vete nëse vitin tjetër luan në Euro 2020.

Kampionati Evropian i vitit të ardhshëm do të jetë i veçantë, pasi për herë të parë në histori turneu do të zhvillohet në 12 vende evropiane dhe do të marrin pjesë 24 Kombëtare.

Edhe pse Kosova është e pavarur prej afro 12 vitesh, 79 shtete, përfshirë këtu Spanjën, Rusinë, Azerbajxhanin, Rumaninë, nuk e njohin pavarësinë e saj.

Në disa prej këtyre vendeve do të zhvillohet Euro 2020. Nëse Kosova e arrin kualifikimin dhe caktohet në një grup, ndeshjet e së cilit do të zhvillohet në një vend që s’e njeh pavarësinë e Kosovës, ndeshjet do të duhet të zhvendosen në një vend neutral.

Për shkak të kësaj, Kampionati Evropian U-17 në shkurt, që ishte planifikuar të mbahet në Spanjë dhe Kosova ishte pjesëmarrëse, u zhvendos në Zvicër.

Edhe vetë shorti i 30 nëntorit në Bukuresht të Rumanisë mund të jetë i çuditshëm. Kosova nuk duhet të jetë në grup me Serbinë, Bosnjën apo Rusinë, për shkak se një gjë e tillë nuk lejohet nga UEFA.

Kujtojmë që Kosova, edhe nëse nuk kualifikohet në këtë fushatë, ka një shans tjetër në muajin mars të vitit të ardhshëm, përmes Ligës së Kombeve.