Të larguar prej kohësh nga vendlindja, komuniteti shqiptar në Nju Jork, i ruan me fanatizëm vlerat kulturore kombëtare. Si një dëshmi, vjen festivali i përvitshëm shqiptar atje, për gati tri dekada, me këngë dhe valle folklorike.
Festivali i 29-të folklorik në Nju Jork, solli program të pasur kulturor. Ky aktivitet synon ruajtjen e traditave dhe vlerave artistike të kombit, nëpërmjet këngëve dhe valleve folklorike, interpretuar nga artistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara./Konica.al
Në skenë u ngjitën artistë shqiptarë, të tre brezave të ndryshëm. Famulltari i Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj, u shpreh me shumë krenari përpara të pranishmëve, raporton VOA.
“Është kënaqësi kur shohim të rinjtë e të rejat e komunitetit tonë që kanë lindur këtu në Amerikë, duke kënduar e vallëzuar këngë dhe valle shqiptare. Kjo tregon se ata krenohen se janë shqiptarë”.
I pranishëm në festival ishte edhe një i ftuar i veçantë. Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engël, garantoi se do të vazhdojë kontributin për komunitetin shqiptar.
“Do të bëj gjithçka që është e mundur, që të sigurohem se Kosova merr njohjen që meriton, që Shqipëria merr përkrahjen që e meriton dhe që të gjithë shqiptarët qofshin në Ballkan ose në Amerikë, të trajtohen drejtë dhe në mënyrë të duhur sepse edhe unë e ndiej veten pjesë të kombit shqiptar, pasi kam punuar për shumë vite për të.”
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, kërkoi nga komuniteti shqiptar në Amerikë që të mos kursehet ndihma për vendlindjen.
“Dikush më pyeti, se sa shumë duhet të bëjmë për vendet tona? Përgjigja ime ishte e thjeshtë. Imagjinojeni sikur ne jemi në shtëpi, ndërsa familjet dhe populli ynë janë këtu. Sa shumë do të kërkonim nga ata që të bënin? Kaq i kemi borxh popullit tonë dhe vendit tonë.”
Të pranishmit në festival i vlerësojnë shumë ngjarje si këto, që të kujtohet e kultura e kombit shqiptar, në mënyrë që ajo të mos harrohet kurrë.
“Prej gjithë botës jetojnë këtu dhe fëmijët tanë gjithmonë kanë marrëdhënie, sidomos në shkollë. Por, besoj se festivalet dhe tubime të tilla luajnë një rol të jashtëzakonshëm që ruajmë traditat tona”, – tha Kol Cacaj.
“Është mirë të dish nga je. Ku e ke vendin dhe sa vështirësi kishin njerëzit tanë të vinin këtu. Shqiptarët e patën të vështirë të vinin në Amerikë, që të kenë familje e punë. Është mirë ta dish nga ke ardhur. Pa histori s’ke të ardhme”, tha Albian Velia, pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan.
Festivali i 29 shqiptar, iu kushtua figurës së Ismail Qemalit. Aktiviteti i organizuar nga qendra kulturore “Nënë Tereza” e Kishës Zoja e Shkodrës, është një nga shumë veprimtaritë për nder të 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.