MENU
klinika

Biblioteka e heshtjes

Cilët janë shkrimtarët e arratisur në mohim?

22.11.2019 - 17:16

      Cilët janë shkrimtarët e “Jo”-së? Në një përmbledhje të skajshme mund të përkufizoheshin të tillë ata shkrimtarë, që, pavarësisht se ishin shkrimtarë, të paktën profesionalisht, me të shkruarin kanë pasur një marrëdhënie, nëse në të vërtetë jo aq negative, mohuese./Konica.al

Teksti i fundit për t’i njohur këta shkrimtarë është saga-rrëfyese “Bartebly me kompani” i shkrimtarit spanjoll Enrique Vila-Matas, i cili, nga ana tjetër, për shumë vite qe një shkrimtar i mohimit. Vila-Matas, me një stil ironik, jo më pak dashamirës, madje tejet solidar, thekson se larmia e Shkrimtarëve të Jo-së është e gjerë: nga ata që nuk kanë shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm, pavarësisht se kanë qëndrime letrare shumë të dukshme, tek ata që hoqën dorë përgjithmonë nga të shkruarit pas një periudhe prodhimi intensiv, por shumë të shkurtër, tek ata që humbën, duke jetuar në ndjekje të një libri ideal, që së fundmi nuk arritën kurrë ta shkruanin, tek ata që shkruajtën me ambicien paradoksale dhe supreme për t’u harruar.

Është një Bibliotekë e Heshtjes biblioteka e Shkrimtarëve të Mohimit, në mënyrën e vet jashtëzakonisht ngashënyese. Në të vërtetë, ajo na kujton se fjala kufizohet gjithnjë në mohimin e saj, për më tepër çdo zgjedhje estetike e çfarëdolloj zhanri letrar aludon, në dremitje të mbrapshta, për mundësinë se mund të ishte një zgjedhje e gabuar: se mbase, në fund të fundit, do kishte qenë më mirë të qëndronte në heshtje.

Por është një bibliotekë, madje ideale për shkrimtarët që zbuluan më të mirën e tyre sapo u kufizuan për të vetmen herë në heshtje, e cila në njëfarë mënyre na mëson diçka thelbësore: çfarëdo faqe që vjen nga një shkrimtar, nga vepra e tij dhe jeta e tij, gjithnjë do jetë prezente një faqe që bie më shumë në sy nisur nga heshtja nga e cila është arratisur, apo edhe në rastet kur ndien keqardhje për atë. Me një fjalë, ajo që quhet zakonisht “sindromi i faqes së bardhë”, domethënë faqja që mungon, është gjithnjë një formë nostalgjie për atë përsosmëri in potentia ose pikërisht in absentia që shkrimi in presentia, shkrimi i realizuar, në mënyrën e vet mund të përdhoset vetëm në papërsosmërinë e fjalës.

Malarme, i cili jetoi në ndjekje të  “vargjeve absolute” ose “përfundimtare”, e vuajti absolutisht këtë shqetësim për të nxjerrë nga duart  Librin Universal, duke u rrekur me çdo kusht, për të bërë më të mirën e mundshme për të krijuar krijimin orfeik. Në të vërtetë, në ndjekjen e librit absolut ai vërtetoi se nuk i ishte nënshtruar kurrë dëshmisë se një libër absolut, thjesht, nuk ekziston./Konica.al

Rilke qe më pak drastik, por jo më pak i rreptë: në një nga faqet më të admirueshme të kryeveprës së tij “Fletoret e Malte Laurids Brigge” shkruan, se për të mbërritur të përsosurën duhej të kalonte një sërë përvojash të hidhura, mendime, eksperienca të jetuara, nga jashtë dhe nga brenda, si dhe një udhëtim fizik dhe mendor nga më sfiduesit. Me pak fjalë, nëse një poet i vërtetë nuk shkruan për dekada, dhe nëse nuk arrin të shkruaj qoftë edhe një varg të vetëm të pastër, të paktën ajo çfarë do nxjerrë të përbëjë bërthamën e poezisë së tij.

Mirëpo, grupi i Shkrimtarëve të Mohimit është kaq i gjerë, saqë as raporti shumë i përpiktë që i bën Vila-Matas nuk arrin ta shterrojë atë. Shkrimtarët e Jo-së ishin herë pas here Kafka, i cili kërkoi që puna e tij të digjej, për fat Max Brod nuk e bëri, pas vdekjes së tij, Walser, i cili aspironte mbi të gjithë të tjerët që vepra e tij të harrohej, Rimbaud, i cili pasi prodhoi disa nga kompozimet më të admirueshme të shoqërisë moderne, u tërhoq përgjithmonë nga fjala e shkruar dhe shumë të tjera, të cilat nuk është e nevojshme t’i kujtojmë.

Shkrimtarë me talent shpesh të jashtëzakonshëm, të cilët sakrifikuan gjeninë e tyre në altarët e një perfeksionizmi të pamposhtur ose një ngurrimi estetik. Ashtu si Bazlen, të cilin Calasso e njeh si një nga manifestet e shenjta të letërsisë së shekullit njëzet dhe megjithatë kurrë nuk shkroi një rresht. Ose Duchamp, i cili kaloi nga arti në shah pa e kthyer më kokën pas. Ose Salinger, i cili pasi kishte shkruar shumë pak vepra, përfshirë të pavdekshmen “Djaloshi Holden”, u tërhoq, si shkrimtar dhe si njeri, në sytë e botës./Konica.al

Shkrimtarë të tërhequr në heshtje dhe ende shumë të pranishëm. Në mënyrë paradoksale, të paharrueshëm.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Botim në italisht dhe bullgarisht

“Epika e yjeve të mëngjesit”

Frojdi, psikanaliza dhe letërsia

“Ëndrrat shprehin kujtime dhe njohuri”