Qysh në të gjallë të tij, Skënderbeu kishte krijuar aureolën e tij legjendare te malësorë e fshatarë që shihnin në të personin e një liberatori të madh.
Kujtimi i tij u përjetësua në qindra gojëdhëna e krijime poetike, madje edhe në dhera të huaja ku mërguan mijëra arbëreshë, shkruan Konica.al.
Derisa vitet e pushtimit osman në Ballkan po rëndonin si zgjedhë e padurueshme, edhe tek fqinjët sllavë Skënderbeu pati shëmbëllesën e tij si një luftëtar i madh.
Këngët me origjinë popullore tek sllavët e Maqedonisë, që kishin për protagonist Skënderbeun, u mblodhën nga vëllezërit Miladinov.
Njëra prej tyre quhet «Poplenal mi Skenderbeg Jovče pole Bitolsko» (Ma pushtoi Skënderbeu Jovçe-polen e Manastirit) e endur në 25 vargje.
Kënga tjetër e mbledhur nga Shapkarevi quhet «Skenderbej i morne Bitolsko» (Skënderbeu dhe vasha e Manastirit), me 21 vargje.
Në vitin 1894, shtatë këngë të zonave ku kishte simbiozë shqiptaro-sllave i botoi P.Draganovi, të cilat u volën kryesisht nga folklori i Dibrës dhe Galiçnikut.
Studiuesi serb Tihomir Gjorgjeviç ka vërtetuar të kënduarit popullor shqiptar për Skënderbeun në rrethinat e Ohrit, gjë që nxit idenë se ato duhet të jenë krijuar në një mjedis mbizotërues shqiptar karshi atij sllav, ose prej shqiptarësh të sllavizuar.
Përveç tyre, dy këngë të tjera të tilla u mblodhën ndër sllavët e fshatit Stebllevë të Gollobërdos në Shqipëri «Se ožena mascek Skenderbeg/Od dvanest godini» (U martua Skënderbeu i vogël/dymbëdhjetë vjeç) në 30 vargje, dhe «Posakal Skenderbeg/Enu mumiče maceku» (Ka kërkuar Skënderbeu/ Një vajzë të vogël) në 12 vargje.
Një tjetër këngë me syzhe të ngjashëm e shënoi më 1954 Petro Janura në rrethinat e Ohrit, e cila është si vijon:
Sakal Skenderbeg,
Junakinja momiče.
Sakal Skenderbeg,
Ubavo da mu peja
Merakot da mu projde,
Srceto da mu greva.
Sakal Skenderbeg,
Ubavo momiče…
Ka kërkuar Skënderbeu,
Vashë trimëreshë,
Ka kërkuar Skënderbeu,
Bukur t’i këndojë,
Meraku t’i kalojë.
Zemrën t’ia ngrohë.
Ka kërkuar Skënderbeu,
Vashë të bukur…
© Salih Mehmeti | Konica.al