MENU
klinika

Balluku: Nuk po aksesojmë dot spitalet

Aeroporti i Rinasit fillon fluturimet/ “Lironi rrugët”

26.11.2019 - 10:07

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, që në orët e para të lëkundjeve të tërmetit, ndodhet në terren pranë familjeve të dëmtuara.

Ministrja Balluku, ishte në Durrës, një nga zonat më të dëmtuara gjatë lëkundjeve të tërmetit që u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së martës në vend.

Në një prononcim për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, garantoi se të gjitha strukturat e shtetit ndodhet në terren për të përballuar këtë situatë të vështirë. Duke ju referuar situatës në qytetin e Durrësit, ministrja Balluku kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të liruar rrugët me qëllim lehtësimin e qarkullimit për autoambulancat apo mjetet e tjera të emergjencës.

“Kemi disa problematika që duhet t’ i adresojmë. Është bllokimi i rrugëve të Durrësit. Në këto momente për shkak të panikut që njerëzit kanë, ne e kuptojmë shumë mirë që qytetarët e Durrësit janë të gjithë në rrugë, por ju lutem makinat nuk duhen përdorur më në këtë moment pasi po vështirësohet aksesi i ambulancave dhe nuk po aksesojmë dot spitalet”– u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje qytetarëve që të aksesojnë disa nga pikat e ngritura ku mund të sistemohen përkohësisht, teksa njoftoi gjithashtu se aeroporti i Rinasit është në funksion të plotë dhe po vijon normalisht punën.

“Aeroporti i Rinasit është funksional. Ka pasur disa dëmtime materiale, të cilat nuk ndikojnë operimet. Konfirmojmë që aeroporti i Rinasit funksionon, nuk ka asnjë problematikë përsa i përket fluturimeve, nuk ka pasur ndërprerje”– theksoi Balluku.

Ndërkohë sa i takon autostradës Tiranë-Durrës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se ARRSH ka vendosur mbylljen e mbikalimit të Shkozetit, për arsye sigurie.

“Një problematikë që kemi në autostradën Tiranë-Durrës është mbikalimi i Shkozetit, i cili është mbyllur tashmë nga ARRSH-ja, për shkak të kushteve që janë shkaktuar pas dëmtimit të tërmetit për të qenë të sigurt.

Nuk ka në dukje dëme materiale por ne e konsiderojmë një pikë jo shumë të sigurt për kalimin e automjeteve ndaj dhe e kemi bllokuar”– nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN