Pas një jave, 29 vendet anëtare të “aleancës më të suksesshme në histori” do të takohen për të festuar 70 vjetorin e saj. Megjithatë jo çdo gjë shkon mirë brenda NATO-s.
Në vend të një “samiti”, mbledhja, në periferi të Londrës, do të jetë vetëm dy ditë. Pse u shkurtua agjenda?
Presidenti francez Emmanuel Macron, në 100-vjetorin e Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, tha se NATO kishte pësuar “vdekje truri”. Macron tani vë në dyshim hapur angazhimin e SHBA për të luftuar për Evropën dhe po flet për një “ushtri të vërtetë Evropiane”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, kombi i së cilës harxhon 1.4 përqind të PBB-së për mbrojtjen dhe është mbështetur tek SHBA dhe NATO për të mbajtur Rusinë në gji që nga fillimi i Luftës së Ftohtë, thuhet se është zemëruar me “politikën shkatërruese” të presidentit francez.
Gjithashtu, në fillim të dhjetorit, Britania mban zgjedhjet kombëtare. Partia Laburiste mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s, udhëheqësi i saj, Jeremy Corbyn, ka vënë në dyshim rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s në epokën e pas Luftës së Ftohtë.
Po ashtu i pranishëm në Londër do të jetë aleati i Presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan.
Pas përpjekjes së grushtit të shtetit të vitit 2016 në vendin e tij, Erdogan pastroi mijëra njerëz nga ushtria dhe regjimi i tij, burgosi më shumë gazetarë se çdo autoritar tjetër, bleu sistemin e raketave S-400 të Vladimir Putin për mbrojtjen ajrore dhe urdhëroi forcat amerikane të largoheshin nga rruga e tij pasi ai pushtoi veriun e Sirisë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, NATO gëzonte mbështetjen e gjerë si të amerikanëve, ashtu edhe të evropianëve.
Por ajo Luftë e Ftohtë ka mbaruar. Berlini është kryeqyteti i bashkuar i lirë i Gjermanisë. Pakti i Varshavës është shpërbërë. Shtetet e saj anëtare janë bashkuar të gjitha në NATO. Bashkimi Sovjetik u nda në 15 kombe. Jugosllavia komuniste u nda në shtatë kombe.
Si ideologji, komunizmi ka vdekur në Evropë. Pse atëherë amerikanët mbeten akoma atje?
Që nga Lufta e Ftohtë, është dyfishuar madhësia e NATO-s. Janë anëtarësuar republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, por jo Finlanda apo Suedia. Sllovenia, Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare, por jo Serbia, Bosnja ose Maqedonia e Veriut.
Rumania dhe Bullgaria janë aleatë të NATO-s por jo Moldavia apo Bjellorusia.
Një ndër arsyet pse Trump është president është se ai ngriti pyetje provokuese rreth NATO-s dhe Rusisë.
Dhe ato pyetje pa përgjigje janë shumë serioze.
A besojmë vërtet se nëse Rusia do të marshonte në Estoni, SHBA do të fillonte të sulmonte anijet, aeroplanët dhe trupat e një kombi të armatosur me mijëra armë bërthamore taktike dhe strategjike?
A do t’i shpallnin aleatët e NATO-s Spanja, Portugalia dhe Italia luftë kundër Rusisë?
Në 1914 dhe 1939, në solidaritet me vendin amë, Britaninë, Kanadaja i shpalli luftë Gjermanisë. A do t’i shpallte luftë Rusisë së Putinit qeveria e Justin Tradeau për Estoninë apo Letoninë?
Në NATO, ne jemi të ‘detyruar’ të shkojmë në luftë për 28 kombet. Dhe ata që na çuan në Irak, Siri, Libi dhe Jemen duan që garancia e luftës të shtrihet edhe për kombet e tjera edhe më afër Rusisë.
Një ditë, njëra prej këtyre garancive do të kërkohet përsëri. Mund të zbulojmë se populli amerikan nuk ishte në dijeni të këtij angazhimi dhe nuk është i gatshëm ta respektojë atë, veçanërisht nëse pasoja është një luftë e madhe me një fuqi bërthamore.
Patrick J. Buchanan është autori i ‘Luftërat e Nixonit në Shtëpinë e Bardhë: Betejat që e formuan dhe e thyen një President dhe përçanë Amerikën përgjithmonë’.