Tërmeti që goditi Shqipërinë ditën e djeshme ka bërë që futbolli në vend të shtyhet për këtë javë dhe të njëjtën gjë bëri edhe Kosova me ndeshjet e Kupës, të planifikuara të luheshin sot dhe u vendos të luhen nesër.
Ndërkohë, zisë Kombëtare të Shqipërisë, i është bashkuar edhe Federata e Futbollit në Maqedoni. Ata kanë vendosur që të gjitha ndeshjet që do të zhvillohen sot për kampionatin maqedonas, do të nisin me një minutë heshtje.
Ky vendim u mor nga federata e futbollit duke respektuar personat që humbën jetën nga shembjet e ndërtesave për shkak të tërmetit. Natyrisht në Maqedoni jetojnë shqiptarë të shumtë, të cilët nuk i kanë kursyer ndihmat e tyre për vendin tonë.
Shkupi luan sot ndeshjen e radhës në kampionatin maqedonas, aty ku përballë do të ketë ekipin e Akademija Pandevit. Skuadra shqiptare do të tentojë fitoren për t’u afruar më shumë me Europën.
Ndërkohë që kjo ndeshje do të ketë një rëndësi të veçantë për tifozët, të cilët kremtojnë 30 vjetorin e themelimit dhe ishte menduar që kjo ndeshje të kthehej në festë.
Megjithatë, tërmeti i rëndë që goditi Shqipërinë mëngjesin e djeshëm, ka bërë që të anulohen të gjitha festimet dhe të mendohet vetëm për Shqipërinë.
Në këtë mënyrë, tifogrupi shqiptar i “Shvercerave” ka kërkuar që prania në stadium të jetë sa më e madhe dhe çdo e ardhur e përfituar nga shitja e biletave, do të vijë në drejtim të Shqipërisë për ndihmë.
“Kryesia e Shvercerave ka vendosur që nesër të mos festohet 30 vjetori në lojën Shkupi-Akademija Pandev, pra festa do të shtyhet për lojën tjetër dhe për këtë do të ju informojmë ditëve në vijim. Për momentin rëndësi kanë vetëm vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri!
Por ju lutemi që nesër çdo Shqiptarë, çdo Shkupjan, çdo Shvercer nga më i riu e deri tek më i moshuari të jemi në tribunë. Të hollat që do të mblidhen nga shitja e biletave të lojës do të dorëzohen në Durrës.
Shkupi kryeqytet i Dardanisë e Shvercerat Ushtarë të Shqipërisë”, shkruhet në postimin e tifogrupit nga Shkupi.