Klubi i Tiranës ka qenë solidar që në orët e para pas tërmetit shkatërrimtar që preku kryesisht Durrësin dhe Thumanën. Por klubi bardheblu tashmë ka shkuar me ndihmë konkrete.
Kryeqytetasit ngritën çadra në aneksin e stadiumit “Selman Stermasi”, për të pritur njerëzit, por që shërbente edhe si një qendër për të mbledhur ndihma. Ndihma në veshje apo ushqime, të cilat iu dërguan atyre më në nevojë.
Klubi i Tiranës, nëpërmjet faqes së tyre zyrtare në rrjetet sociale, ka shpërndarë edhe momentet, prej fillimit kur u ngritën çadrat, deri në pjesën ku ushqimet apo veshjet u transportuan drejt zonave më të prekura nga tërmeti.
“Klubi i Futbollit Tirana ka vijuar fushatën humanitare, duke nisur sot drejt Ndroqit një numër të madh ndihmash për 80 familje në nevojë.
Një grup pune bardheblu ka trokitur në dyert e shtëpive të rrezikuara për të dhuruar dyshekë, batanije, veshje, ushqime dhe material higjenike për familjet në nevojë. Ne nuk do ndalemi. Më shumë se një klub futbolli. Ne jemi Tirona!” – shkruan klubi bardheblu.
Një gjest i madh solidarizues për t’i ardhur sadopak në ndihmë të goditurve nga fatkeqësia natyrore. Por humanizmi bardheblu nuk do të përfundojë këtu…