Çdo ditë shtohen zërat për një largim të Elseid Hysajt nga Napoli që në merkaton e janarit. Mbrojtësi kuqezi nuk po gjen më hapësira te Napoli dhe menaxheri i tij po bën përpjekje për ta kaluar në një tjetër ekip.
Agjenti i Hysaj, Mario Giufredi, është shprehur se një lëvizje në muajin janar është në duart e Napolit, teksa nëse është për të, atëherë 25-vjeçari largohet menjëherë.
“Jemi në duart e Napolit. Për mua, ai duhet të largohet në janar, sepse përndryshe Napoli e humbet në verë me parametër zero. Nëse Ancelotti insiston të luajë me Di Lorenzon në të majtë dhe Maksimoviç në të djathtë, atëherë nuk ka arsye për ta mbajtur Elseidin”, – u shpreh Giufredi.
Për Hysajn, pista më e nxehtë në muajin janar mbetet klubi i Romës, që dëshiron shqiptarin në organikën e saj. Gjithsesi, përpara është edhe 1 muaj, situata mund të ndryshojnë në momentet e fundit.