E ndërtuar në pjesën jugore të bregdetit shqiptar, qyteti i Himarës ka qenë gjithmonë qendër e një zone që ka përfshirë jo vetëm fshatrat e Jugut, por dhe Labërinë e Kurveleshin.
Ajo përmendet që në kohët e lashta, por historia e saj moderne fillon në 1199, kur në qytet u vendos sundimi i venedikasve.
Fqinjët tanë veriorë nuk mund ta mbanin për shumë kohë dhe në shekullin XIII-të, zona e Himarës u përfshi nga Karli i Anzhuve në atë që ai e quajti “Mbretëria e Arbërisë”.
Zona ka qenë gjithmonë me një popullsi autoktone shqiptare, kryesisht me origjinë nga ajo që njihet si zona e Labërisë dhe duke filluar nga shekulli XV-të dhe me të ardhur nga zona e Mirditës dhe Krujës.
Më 1431, Himara u përfshi si një nahije e Sanxhakut të Shqipërisë.
Duke filluar nga shekulli XVI-të, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin.
Himara, – para disa shekujsh, – veçanërisht pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekel e në Butrint.
Në këtë zonë, popullsia më e madhe i përket besimit ortodoks. Në Himarë mund të vizitosh kalanë e vjetër, por edhe dhjetëra kisha shekullore. Ato datojmë prej shekullit XI-të apo edhe më herët.
Neço Muko, zgjodhi brilantin e këngëve himariote dhe i thoshte botës “lulja e vilajetit” shtatë fshatrave që përmbledh kjo zonë, ndërsa Lord Bajroni “i këndoi”: Nuk falin as mikun, si mund të falin armikun? Ndaj mbrojtën me gjak dhe këngën e brezave pavdekësinë e Himarës, përkrah trevave të tjera të gjithë Shqipërisë.
Kështu dhe Neço Muko (Himarjoti) së bashku me “Artisten e Popullit”, Tefta Tashko Koço, i incizoi në këngë vargjet për Himarën e krahinën, në disqe gramafoni, në “Radio Parisi”, në vitin 1934.Qyteti i Himarës, është kryeqendra e krahinës së Himarës, që shtrihet edhe në brendësi të kështjellës (Kastros).
Këtu mahnitesh nga Himara e vjetër me monumentet e saj të lashta dhe arkitekturën e saj të veçantë; nga Spileja me plazhin e saj që është qendra e sotme ekonomike dhe historike…me Potamin e Livadhin.
Sipas Censusit të vitit 2011, Himara ka 7.818 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil, kjo Bashki numëron 27.049 banorë.
Me sipërfaqe prej 571.94 kilometra katrorë, densiteti i popullsisë në bazë të Censusit rezulton vetëm 13.7 banorë/ kilometra katrorë, ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 47 banorë/ kilometra katrorë.