MENU
klinika

Në emisionin “Porta a Porta”

Pas tërmetit Rama në Itali: Shpresojmë që bota të mos na lërë vetëm

05.12.2019 - 08:35

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ishte i ftuar në emisionin “Porta a Porta” në ‘RaiUno’, Itali, të drejtuar nga gazetari i famshëm italian, Bruno Vespa, për të ndërgjegjësuar sa më shumë njerëz që të kontribuojnë me ndihmën që i nevojitet aq shumë Shqipërisë në këto çaste.

Duke falenderuar moderatorin që i dha mundësinë të ishte pjesë e emisionit, Rama tha se i pari që iu përgjigj thirrjes për ndihmë ishte pikërisht kryeministri italian Xhuzepe Konte.

“Tërmeti ndodhi në katër të mëngjesit. Unë telefonova kë munda, dhe Konte m’u përgjigj menjëherë. Grupi i parë erdhi nga Italia, shumë shpejt. I falënderoj ata që erdhën nga Mbrojtja Civile, sepse janë heronj. Rrezikuan jetën për të shpëtuar të tjerë”, thotë Rama.

Për sa i përket rindërtimit të banesave, të dëmtuara e të shembura nga tërmeti, kryeministri Rama tha se do ta rindërtonte Durrësin me ndërtesa akoma më të bukura se ç’kanë qenë më parë.

Rama theksoi se sapo kishte ardhur nga samiti i NATO-s, në Londër, ku kishte bërë kërkesa për ndihmë, pasi me fondet e Shqipërisë është tepër e vështirë të arrihet diçka e tillë.

“Duhen bërë shumë gjëra në të njëjtën kohë. Shpresojmë që bota të mos na lërë vetëm, që Europa të mos na lërë vetëm. Shpresojmë që dhe politikanët të kenë shpirtin e zjarrfikësve tuaj. Shpresojmë që forca mendore e politikanëve të jetë e krahasueshme me atë të zjarrfikësve”, tha Rama

Gjatë emisionit, moderatori, e ngushëlloi kryeministrin për të fejuarën e djalit të tij e cila humbi jetën nën rrënojat e pallatit në Thumanë nga tërmeti, por Rama tha se nuk do donte të fliste për këtë gjë.

“Kam detyrimin të bëj kryeministrin e një vendi që vuan tragjedinë, ndaj nuk doja të flisja për këtë ngjarje sepse nuk është diçka që më përket vetëm mua dhe familjes sime, por i përket të gjithëve. Kjo vetëm sa e ka shtuar detyrën time të brendshme për të bërë gjithçka, sepse nuk e shoh ndryshimin midis të gjithëve të tjerëve që humbën jetën”, thotë Rama.