MENU
klinika

Palmer: Duhet të ulen në tryezë

“Kosova dhe Serbia, po ta njihnin njëra-tjetrën…”

05.12.2019 - 13:50

I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se SHBA dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjelltë.

“Sikur ta njihnin njëra-tjetrën, ato do të mund t’i zgjidhnin çështjet e diskutueshme si fqinj”– tha Palmer.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”.

“Është e nevojshme një marrëveshje që do të pranohej nga publiku në të dyja anët dhe do të mbështetej si rruga më e mirë përpara, për të shtuar se marrëveshja do të duhej të ishte e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”– tha Plamer.

Palmer ka thënë se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Emërimi i Palmerit në gusht dhe i Grenellit pak muaj më vonë janë parë si shenjë e përfshirjes gjithnjë e më të madhe të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky dialog është ndërprerë qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova ka nisur me aplikimin e një takse mbi mallrat e importuara nga Serbia.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian – si ndërmjetësues i dialogut – Kosova nuk e ka hequr taksën, ndërsa Serbia ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës.

Kosova aktualisht është në negociata për formimin e qeverisë së re.