MENU
klinika

"Sillni listën e përfituesve"

Ahmetaj-kompanive të sigurimit: Do paguani 12 mln $ dëme

06.12.2019 - 12:54

Drejtuesi i Komitetit të Rindërtimit Arben Ahmetaj mblodhi sot në një tryezë me AMF-në dhe drejtuesit e kompanive te sigurimeve.

Ai tha se deri tani janë 1943 banesa të dëmtuara, që kanë qenë të siguruara për të cilat kompanitë e sigurimeve do të paguajnë 12 mln dollarë. Por fatura pritet që të shkojë 25 mln euro deri në përfundim të të gjithë banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ahmetaj kërkoi listat nga kompanitë e sigurimit për banesat që do të dëmshpërblejnë që të mos bëhen dyfish edhe nga shteti.

“Ne nuk kemi akoma kulturën për të siguruar banesat nga tërmeti. Tashmë ka një rekord zyrtar që në tërmetin e 21 shtatorit kanë paguar 5 milionë dollarë dhe kanë dëmshpërblyer 70-80% të detyrimeve. Sa i takon tërmetit të 26 nëntorit, nga informacioni që kam ju jeni në proces vlerësimi, por deri më tani dëmet në proces trajtimi ose të dëmtuara 1943 banesa.

Kjo nuk është shifër përfundimtare. Dëmet total shkon gati 12 milionë dollarë deri më sot. Që do të thotë se kompanitë e sigurimit do paguajnë këtë shumë ndaj qytetarëve. Dëmi mund të shkojë deri në 25 milionë euro sipas informacioneve që kam marrë nga diskutimet tuaja.

Dëmi i gjysmës së banesave të dëmtuara shkon në 12 milionë dollarë. Dorëzoni sa më shpejt listat e dëmtuesve pranë komitetit të emergjencës në mënyrë që ata që do merren me rindërtimin të mos kenë kosto dyfish”- tha ai.

Presidenti i SIGAL Avni Ponari propozoi miratimin e një ligji për katastrofat. “Problematika është shumë emergjente. Ne kemi përgjegjësinë tonë, edhe pse Shqipëria është shumë larg mbulimit me sigurim. Sot janë 20 mije banesa të siguruara një shifër shumë e vogël, nga 1.2 milionë tituj që janë në Shqipëri.

Shumica e sigurimeve janë me detyrim nga banka. Shqipëria është e rrezikuar nga tërmetet dhe përmbytjet, dhe për këtë arsye duhet të kishim një ligj për katastrofat. Për të siguruar mbulim të dëmeve.

Ndërtimi i një ligji pa vonesë për mbrojtjen e qytetarëve, pavarësisht kostove aq më i lartë është primi i sigurimit. Shqipëria e ka të garantuar cdo lloj mbulimi nga siguruesit. Ne kemi detyrim ti përmbushim këto dëme që kane ndodhur por po ju propozojmë hartimin e një ligji” tha ai.

Drejtori i kompanisë Sigma, Klajdi Citozi u shpreh se të gjitha ata që kanë siguruar banesat dhe kanë pësuar dëmtime të rrinë të qetë.

“Frika që mbizotëron është se a do munden kompanitë e sigurimit të mbulojmë dëmet. Rrini të qetë pasi kompanitë e sigurimit jane të gjitha të siguruara në tregun botëror. Dëmi mund të jetë 12 milionë dollarë, por kostoja jonë do të jetë vetëm primi i sigurimit.

Të gjitha kompanitë që sigurojnë pronën kanë kapital mbi 40 milionë”– përfundoi ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN