Krahina e Rekës së Epërme në Maqedoni ruan të fundit mbijetojca të fesë ortodokse ndër shqiptarë.
Me përjashtim të lagjes së dijetarëve sllavë, pjesa tjetër e studiuesve mendon se popullata rrënjëse e kësaj treve ka qenë shqiptare e ritit ortodoks, por që e folmja e saj u ndikua jo pak edhe nga dialektet sllave, shkruan Konica.al.
Studiuesi bullgar Vasil Kançov, megjithë prirjen e tij për të përzmadhuar elementin bullgar në Maqedoni, e pranonte se Reka e Madhe ishte e tëra e banuar nga shqiptarë ortodoksë.
Ai nuk përjashtonte që në këtë trevë të ketë pasur edhe bullgarë, por, që, sipas tij, u shqiptarizuan me kalimin e viteve.
Një studim interesant mbi këto tërthore vjen nga studiuesja maqedonase Galaba Palikrusheva, që ka kryer hulumtime të shumta mbi elementin etnik në Pollogun e epërm, Mavrovë dhe Rekën e Epërme.
Duke zhbiriluar defterët osmanë nga gjysma e shekullit 15-të, ajo vëren praninë e ndjeshme të elementit josllav në krahinën e Rekës.
Palikrusheva rendit patronimika me prapashtesën sllave –iq, por që dëshmojnë një prejardhje josllave të banorëve vendës të Rekës, si Gin Cicoviq, Ninçe Lazaroviq apo Miho Tanusheviq (nga Tanush).
Emrat dhe mbiemrat e njerëzve në këtë zonë, sikundër lihet të kuptohet nga defterët osmanë, flasin bindshëm për përkatësinë josllave të bartësve të tyre.
Palikrusheva sjell edhe shembuj të shumtë: Niçpur: Gjon Dum, Pop Nikolla, Mesio Sholed, Gjon Shirqe, Gjoro Qirqe, Kole Dum, Çiko i biri i Qirkos, Petko i biri i Miko-s; Brodec: Like Mihail, Plise Nikosllav, Stanishe Xaxi, Llazar Mihail; Strazimir: Kole Shirki, Kole Riç, Gjon Shirki, Kole Mihail, Pal Mihail; Vërben: Girgj Lluç, Markin Popoviq, Vasill…, Menko…Vasko Lluç, Llazar Kolje, Petar Skore, Shuk Rusi, Kole Dornaj, Petar Riç, etj
Studiuesja maqedonase i bie mohit pretendimit të kolegëve të saj që besonin se popullata sllave e Rekës u shqiptarizua.
“Elementi mbizotërues etnik josllav në Rekën e Epërme në këtë periudhë (në gjysmën e shek. 15) na jep një pasqyrë krejt tjetër rreth çështjes së gjuhës amtare shqipe te popullsia e krishterë e kësaj zone, e cila sot ndjehet dhe si maqedonase. Shpjegimi i shfaqjes së këtij fenomeni nga disa punonjës shkencorë si rezultat i pranimit të gjuhës shqipe nga ana e sllavëve maqedonas me qëllim që ta ruajnë besimin e krishterë, vështirë se mund të pranohet”, shkruan Palikrusheva.
Në kohën e Skënderbeut, sipas defterit të Vilajetit të Rekës (Vilayet-i Reka, Defteri Nr. 508, 1467), në fshatrat e kësaj krahine dëgjoheshin aq shpesh emra arbërorë, të tillë si: në Vollkovi: Progon Tome; Tërnicë (regjistruar Tirniça): Gerg, i biri i Andreas; Vërben (Virbin): Petar Tanusheviq, Gin Shimjat, Gin Gegoviq; Krakornicë: Gon Duçe, Gon Kirkit, Miho Meksha; Nistrovë: Kole Bard, Gon Pashajet; Ribnicë: Miho Tanusheviq, Bojko Tanusheviq, etj.
© Salih Mehmeti | Konica.al.