“Sot ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve që ndodhen në fund të nëntorit. Besoj se përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë në raport me atë që po bëjnë dhe institucionet, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, që më në fund në këtë vend të bëhen gjëra konkrete”, tha ai.
Sipas zotit Çela “pavarësisht se vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe, është një rast kur ne duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin nga ne. Kjo kërkon një angazhim maksimal. Jam i bindur se do të gjejmë të gjithë mekanizmat dhe format e duhura, për të arritur atë çfarë duhet”. Janë mbi 10 mijë shtëpi dhe pallatet e prekura, ndërsa mbi 1100 janë rrënuar. Nga inspektimet e bëra në mbi 5100 ndërtesa vetëm në Durrës, Shijak dhe Krujë, 2200 shtëpi dhe pallate janë të pabanueshme ndërsa mbi 320 prej tyre duhet të shemben.
Prokuroria ka nisur hetimet pak ditë pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse. Prokuroria ka sqaruar se “është bërë kqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas.