Në 3 përballjet e Kategorisë Superiore, futbollistët kanë veshur një bluzë me moton “Dhuro për Shqipërinë”. Ata kanë mbajtur të gjithë një shirit të zi në krah dhe sigurisht 1 minutë heshtje, në respekt të qytetarëve tanë që humbën jetën.
Sa i takon kryendeshjes së sotme Tirana-Kukësi, është mbyllur 1-3, me miqtë që kanë përmbysur gjithcka në pjesën e dytë dhe tani e shohin veten 1 minutë larg kreut.
Në minutën e 10-të, ka një aksion nga e djathta i dyshes Kobina-Ngo, ky i fundit harkon në qendër dhe Hasani e kthen drejt rrjetës. 1-0 për Tiranën dhe me këtë rezultat ka përfunduar pjesa e parë.
Në të dytën, pikërisht në 65’, Shkurtaj barazon me penallti, edhe pse bardheblutë kanë protetuar shumë. Pa kaluar as 10 minuta, Kukësi shënon edhe golin e dytë me Gavazajn, që vepron shumë bukur në zonë.
Për të vulosur fitoren mendon Abazaj në 80’, që realizon golin e nokautit. Një fitore e madhe e verilindorëve, që tashmë futen në rrugën e pretendimeve për titull. Ndërsa Tirana është në krizë.
TIRANA-KUKËSI 1-3
10′ Hasani / 65′ (p) Shkurtaj, 75′ Gavazaj, 80′ Abazaj
Tirana: Lika, Muça, Doka, Vangjeli, Hoxhallari, Çelhaka, Halili (83′ Kale), Batha, Hasani (46′ Çejku), Kobinah (24′ Torasa), Ngo. Trajner: Julian Ahmataj
Kukësi: Xhika, Teqja, Obanor, Musta, Limaj, Maliqi, Musolli, Rroca, Gavazaj (78′ Lulaj), Abazaj (82′ Daku), Shkurtaj (70′ Et’hemi). Trajner: Shpëtim Duro
Kartonë të verdhë: Hasani, Batha, Çejku, Hoxhallari, Kale / Gavazaj, Teqja, Rroca
Gjyqtar: Enea Jorgji