MENU
klinika

Fan Noli

Për të gjithë Don Kishotët shqiptarë

11.12.2019 - 12:53

      Miguel de Cervantes Saavedra, i njohur në tërë botën me emrin e shkurtër Cervantes, botoi në një moshë të lashtë, kryeveprën e tij Don Kishoti i Mancës. Libri pati një sukses të cuditshëm e cila edhe sot konsiderohet si një vepër klasike e dorës së parë. Libri ndahet në dy pjesë, po pjesa e dytë është sigurisht vazhdimi i pjesës së parë. Që të dy pjesat kanë një bukuri të veçantë, pasi kanë të bëjnë me insituta të çkredituara dhe të vdekura./Konica.al

Vetë Cervantes na thotë sepse e shkroi këtë libër: e shkroi me shpresë që të çkreditonte librat e shuma të kalorësisë, domethënë të bejlerëve feudalë të Kohës së Mesme, të cilat ndonëse po çdukeshin përsëri insistonin që të ktheheshin prapë në mbeturinat e vjetra, të cilat koha i kish çkredituar përfundërisht.

Kjo librë është një vepër revolucionare, pasi bën më shumë se çdo tjetër vepër letrare ose historike për të përmbysur përrallat dhe legjendat e kohës së Mesme.

Që t’i jepet forcë thezës së tij, Cervantes zgjodhi dy prototipi: një bej dhe një sejmen. Këta të dy babaxhanë muarrën përsipër punën e rëndë: përsëritjen e kohës së kalorësisë të Kohës Mesjetare, domethënë, përrallat e vjetra cilat koha, zhvillimi, evolucioni i kish përmbysur përfundimisht.

Mirëpo kish bejlurçina dhe sejmene këtu-këtje që besonin se mund të qëndronin sahatin e evolucionit dhe zhvillimin popullit duke imituar kohërat e shkuara.

Në këtë libër Cervantes ka bërë një studim të hollë të kllasave spanjolle: kllasin e aristokratit të vogël dhe kllasin e fshatarit të paditur, domethënë bejlerët dhe sejmenët e asaj kohe.

Tani pyetja vjen: A mund populli i Shqipërisë sot të tërheqë dot një mësim nga libra e Cervantes që u shkrua afro 400 vjet më parë?

Përgjigja është: Po.

 

***

 

Që kur fitoi indipendencën e gjër të Premten e Zezë 1939 populli shqiptar u mundua disa herë me radhë që të dërmonte feudalizmën e bejlerëve dhe të sejmenëve me anën e kanunit dhe me anën e revolucionit. Mjerisht, në tërë këtë kohë, as kanuni, as revolucioni nuk punoi. Kryengritja e Qershorit të vitit 1924 mund të merret si nisja dhe e mbarimit të kohës se Mesme në Shqipëri. Për fat të keq fqinjët që e rrethonin Shqipërinë nuk e lanë këtë kryengritje që të zhvillohej gjer në pikën e fundit, domethënë të mbaronte punën që nisi duke përmbysur kllasin aristokrat të Shqipërisë.

Kështu pra, kllasi aristokrat me ndihmën e forcave të huaja u stabilizua përsëri në Shqipëri e kapërceu dhe njëherë lumin.

Mjerisht këtë herë fati nuk nënqeshi për shumë kohë pasi forcat e jashtëme që e suallë në fuqi Don Kishotin me sejmenin e tij Sanço Pançën nuk ju dhanë dot as zotësinë as vizhdanin që të shikonin shenjat e kohës.

Kështu, pra katastrofi i Prillit 1939 i gjeti të papërgatitur si Don Kishotin ashtu dhe Sanço Pançën.

Që nga prilli 1939 dhe gjerësa u çlirua Shqipëria nga okupatori populli shqiptar bëri një luftë në dy fronte, luftën kundër okupatorit dhe luftën kundër Don Kishotëve të vendit dhe çuditërisht dolli faqebardhë.

Don Kishotët luftuan rreptësisht kundër popullit, u bashkuan me armikun okupator, mblodhë rreth e rrotull tyre të gjithë sejmenët që mund të gjenin, po për fat të mirë të Shqipërisë dhe për fat të keq të Don Kishotëve, sejmenët e Shqipërisë, nisën ta kuptojnë se interesi i tyre lidhej me interesin e popullit shqiptar përgjithësisht dhe kështu u hodhë me anën e popullit, domethënë me anën e Frontit Nacionalçlirimtar. Kështu pra përralla e vjetër “beu dhe gomar të bëhet, mos ia hip” u çduk, shkoi, vdiq me fashizmin dhe nazizmin.

Po a e kanë kuptuar këtë të vërtetë Don Kishotët e Shqipërisë? Jo, aspak. Edhe as që do ta kuptojnë. Bashkë me ta kanë mbetur dhe një pakicë sejmenësh që po i ndjekin nëpër Evropë. Për këta sejmenë na vjen keq dhe iu thomi që të mos humbasin kohën me përrallat e Don Kishotëve, po të hyjnë sa më shpejt në marrëveshtje me guvernën e Tiranës dhe të kthehen në Shqipëri.

Don Kishotët tani kanë nisur nga intrigat e zakonshme, kanë nisur të lidhen me armiqt e Shqipërisë me shpresë që të përmbysin regjimin e popullit dhe të kthehen ata në fuqi. Shumica e këtyre Don Kishotëve janë nga ata që i bënë varrë Shqipërisë demokratike më 1924 edhe përsëri Shqipërisë feuale me 1939! Këta ishin ata burra që “ftuan” Musolinin të skllavëronte dhe të çkombëtarizonte dhe kombin shqiptar.

Ka tani disa javë që po marrim letra nga këta Don Kishotë me anën të cilave na “këshillojnë të mos kërkojmë njohjen e regjimit të sotmë, pasi ky është një regjim komunist” Përralla të këtilla i kemi dëgjuar dhe tjatër herë, po i shigurojmë Don Kishotët tonë se shqiptarët e Amerikës, nuk besojnë në feudalizmë dhe në të tjera insituta të vjetra dhe të çkredituara.

Don Kishotët qahen se në Shqipërinë e sotme e ka marrë me dorë fuqinë rinia. “Cupat dhe djemtë – thonë këta të mykur – janë demoralizuar, bëjnë dashuri me kë të duan dhe martohen me kë të duan. Nga pikpamja e këtyre mbeturinave kjo qenka një krimë e madhe! Kur është dëgjuar kjo liri e madhe që një vajzë shqiptare të martohet me cilin t’i doje zemra e saj? Sa gjë e keqe! Perëndia na shpëtoftë nga një regjim i këtillë!

Zotërinj Don Kishotë: Pranojeni që këtë herë e humbtë luftën. Hiqni dorë nga marrëzitë Don Kishotike. Koha juaj u mbulua./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Konica ky mësues i rreptë

“E deshi Shqipërinë aq sa e urreu”