“Ata ia falën Çekorrin Malit të Zi…”. E pat fjalën për Qafën e Çakorrit (1849 m). E shtyme në moshë, plot 70 vjet, Tefta Cami dje në Institut Albanologjik kallxojke kush e tek ka tradhtue.
Dibranja simpatike, dikur ministre e Arsimit në kohë të Enverit, nuk e thojke aspak me dashakeqësi. Në pleqni, njéri ja me kqyr TV, ja me u tranue e me folë vetmevete. Çakorrin e kish mësue si “Çekorr” e storien për të si falje të tokave Malit të Zi.
Ajo çka përnjime të sëmbon âsht sa shpejt rranjëzohen mitet e jetojnë midis nesh. Sidomos kjo për kufinin që âsht trauma jonë kolektive. Kufini sanktifikohet e shihet si diçka atemporal (i përtejkohshëm).
Narrativa sot âsht e tillë që Çakorri, vërrijet e skërrkat e Bjelluhës e Zhlebit iu falën Malit të Zi. Kërkush nuk e zhbiroi këtë punë ma thellë e me e gjetë raportin e Milovan Gjilasit. Ajo kohë kur komunistët malazezë e shestonin nji Mal të Zi me Dubrovnikun, Hercegovinën, Sanxhakun e Dukagjinin brenda vetës.
Si kompromis s’mori Dubrovnikun por Kotorrin, s’mori Hercegovinën por Plevlën e Sanxhakun verior, s’mori Dukagjinin por Rozhajën e Plavën. E kur tërthoret me asokohe Republikën e Serbisë u delimituen, Millovan Gjilasi me gjasmë Çakorrin e këto majëmalet e tjera i la kah Mali i Zi. Ma vonë, ato mbetën si “no-man’s land”.
Krejt ngrehina e pozicionit të VV-së e AAK-së ftillonte te kjo “no-man’s land” e jo te nji përimtim i kontekstit historik.
Kështu, Çakorri mori përmasat epike të nji kange kreshnike me Mujin e Halilin. A thue se Çakorri ishte kufini i përjetshëm shqiptaro-sllav prej shek.7…
Kjo ban që thuejse kërkush mos me i ba hesap rreth 2 mijë shqiptarë në Plavë e Guci që po mpaken dita-ditës. Në Guci, fjala vjen, Kuvendi Komunal i dhuroi 4 mijë euro si ndihmë për Shqipnin’ kur u prek prej tërmetit.
Nejse…u fal Çakorri ose qysh thojke halla Teftë “Çekorri”?