MENU
klinika

Fondi Shqiptar i Zhvillimit në Valbonë

Investimi i shumëpritur për turistët vendas e të huaj

17.12.2019 - 11:43

Turistët vendas dhe të huaj do të mirëpriten në parkun kombëtar të Valbonës nga Qendra e Zhvillimit të Turizmit, e cila pritet të përfundojë së shpejti.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës, po punon për rikonstruksionin e qendrës së turizmit në Valbonë.

“Punimet e fundit dhe objekti është gati për të mirëpritur turistë vendas dhe të huaj. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar punime në sistemimin e jashtëm të dherave për gjelbërim, si dhe ka vazhduar shtresa me rrasa guri për rrugicat lidhëse”, – thekson FSHZH.

Sipas FSHZH-së, ndërkohë kanë përfunduar procese si ndriçimi i jashtëm dhe montimi i pajisjeve elektrike për të, rehabilitimi i tavolinave verore, si dhe hapësira dedikuar për parkimin e automjeteve.

“Në anën lindore gjithashtu është kryer rrethimi i jashtëm me konstruksion metalik”, – shton FSHZH.

Turizmi malor është elementi bazë që mban të gjithë veprimtarinë e zonës. Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për tu eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike si dhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte dhe shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i saj përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN