Buxheti i vitit 2020 ka të gjitha fondet e nevojshme për lehtësimin e pasojave të tërmetit e për të nisur një proces rimëkëmbjeje.
Sikurse parashikohet në dokumentin zyrtar të buxhetit 2020, fondi për rindërtimin prej 20 miliard lekësh si dhe bonusi i qirave prej 1 miliardë lekësh nuk prek investimet në sektorët prioritar të vendit, duke bërë të mundur kështu financimin e të gjitha projekteve që ishin parashikuar me synim realizimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar.
“Mënyra më e mirë për të përmirësuar situatën në çdo familje të prekur nga tërmeti është që të vijojmë me të gjitha projektet e parashikuara më parë se vendi të goditej nga tërmeti i 26 nëntorit”– deklaroi ministrja Denaj në fjalën e saj gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Për vitin 2020 rritje ekonomike parashikohet 4.1% një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme si konsumi dhe investimet. Investimet publike për vitin 2020 janë në masën 4.7% e Prodhimi të Brendshëm Bruto ose 83.8 miliardë lekë.
Shpenzimet që janë planifikuar synojnë finalizimin e projekteve që lidhen me të rrugët nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë.