MENU
klinika

Luksi dhe jeta franceze e spiunes më të bukur shqiptare

Sara, mbesa e Ismail Qemalit/ Dashnorja e Ahmet Zogut që vrau burrin e saj?

22.12.2019 - 07:00

Bukuria e saj ngeli gjatë në mendjen e shqiptarëve, aq sa emri i Sara Blloshmit nuk u harrua kurrë. Ajo vlerësohej se ishte femra më e bukur shqiptare në kohën e Ahmet Zogut.

Përtej hireve të një femre joshëse e të bukur, thuhet se ka qenë kërcimtare shumë e mirë.

Ajo ishte një ëndërr për meshkujt shqiptarë. Emri i saj nuk u përmend vetëm për bukurinë që kishte, por ajo përflitej edhe agjente të të gjitha shërbimeve sekrete të kohës së Zogut.

Sara Blloshmi ishte mbesa e Ismail Qemalit (vajza e vajzës së tij).

Disa zëra thonë që Sara ka qënë e dashura e Ahmet Zogut. Medje thonë se Zogu fjeti me Sarën një ditë përpara se të martohej me mbretëreshën Geraldinë.

Sara shquhej edhe jetën e saj luksoze që bënte. Thuhet se ajo kishte një veshje moderne evropiane dhe parfumi i vinte nga Parisi.

Prej librit “Agjenti 333” i Dhimitër Karagunit, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” më 1970-n, lexojmë se Mithat Frashëri ka qenë një tjetër lëvdues i heshtur i hireve të saj. Por vargu nuk mbaron me kaq… gjithnjë referuar librit dhe thashethemnajave që enden sot, kur në tavolina bie fjala për të, ziejnë sa e sa qeveritarë të kohës janë përkundur nën ojnat e Blloshmit.

Sara ka lindur në Stamboll, në vitin 1904. Ajo ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdul Kerim Pasha, dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas Shpalljes së Pavarësisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri.

Sara u martua në një moshë fare të re me ushtarakun Selahedin Blloshmi, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Martesa u dha një vajzë, Verën (1923- 1998), e cila më vonë do njihej për artin e bukur të saj, pikturën. Për një kohë të gjatë Sara jetoi në Bukuresht, ku Selahedin ishte ambasador i Shqipërisë, e më pas u kthyen në Tiranë. Sara, pas vdekjes së Selahedin Blloshmit, u njoh me ushtarakun anglez Vandeleur Robinson, i cili ishte atashe shtypi në misionin britanik në Shqipëri, me të cilin u martua më 1945.

Përflitej se kjo martesë u bë për arsye interesi, me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria. ‘Panorama’ në një shkim thekson se edhe vdekja e të shoqit nuk kaloi fare në heshtje. Zëra të kohës thonë se Sara ishte përgjegjëse direkte për vdekjen e të shoqit, sado që asgjë e këtillë nuk u vërtetua ndonjëherë. Sidoqoftë, jeta e saj përfundoi larg Shqipërisë, me Robinsonin, sado kontraktuale që të ketë nisur martesa e tyre. Madje, edhe pas vdekjes së saj, për bashkëshortin e saj të fundit u kujdes e bija, piktorja Vera Blloshmi.