Një nga dëshmitë më interesante të shqipes së folur në Maqedoni vjen nga treva e përzier e Rekës, si mjedis ku janë gërshëtuar qysh në hershmëri kontaktet gjuhësore shqiptaro-sllave.
Gjorgji Pulevski (që e quante vetën edhe si Gjergj Pula) lindi në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në fshatin Galiçnik, në rrethin e Dibrës, prej nga ku e njohu shqipen, shkruan Konica.al.
Ai cilësohet si një nga penat kryesore që e pahëtoi veçantinë e sllavëve të Maqedonisë dhe të qenurit të dallueshëm nga serbët dhe bullgarët.
Duke fqinjëruar afër njëra tjetrës në Rekën ortodokse, thuajse secila familje fliste dy gjuhë: edhe ‘shkinisht’, edhe shqip.
Më 1875, Pulevski botoi «Fjalor trigjuhësh» (në kolonën shqipe e shkruan si «shkinisht – makedonise, shkip ede turqish»).
Pula përdori emërtime të llojndryshme për të shënuar gjuhën shqipe. Në ballinën e fjalorit të tij ai përdori termet arbanski-arnautski, ndërsa në brendi i referohej edhe si arbanski, arnautski dhe albanski, ndërkaq në një faksimil shkruan «shkip».
Fjalori katërgjuhësh ka afërsisht 2.560 fjalë e shprehje shqipe, por duke marrë parasysh se ka raste kur një fjalë e vetme na paraqitet me forma të ndryshme, ky fond fjalësh është më i vogël.
Është interesant të shënohet se shkrimtari nga Galiçniku i Rekës i konsideronte si të barabartë maqedonasit dhe shqiptarët.
Kështu kur bëhet fjalë për maqedonasit, ai shkruan «maqedonasit janë popull dhe atdheu i tyre quhet Maqedoni» («Така и македонциве се народ и местово њиховно је Македонија»).
Megjithatë bri këtij teksti, në kolonën shqip Pula shkruan: «Ashtu ede shkipitarat jan njeraz ede vendin etijse po thijn Makedonija, cili po roin aqe”.
Ndonëse autodidakt, ai arrinte të nxjerrte edhe përkufizime me vlerë për popullin, kombin dhe atdheun. Në kolonën shqip, Pula përdor fjalët «njeraz» si zëvendësim për «komb». Në vijim po japim tekstin e transliteruar nga faksimili origjinal dhe pastaj edhe përshtatjen në shqipen e sotme
«Njeraz, pothon, njerijat nka njifis cilji jane ede cilji pokuvendoin, xhit, sesi, kuvend, ede, cilji, poroin, ede shokunismet, nji, meqeter, ede cilji, kishnjen xhit sesi adet ede kanga ede gazuarte, ata, njerazi, pouthojet njejraz, apo vendin ede cilji poroin, njerazi pouthojet atnija nka ata njeraz. Ashtu ede shkipitarat jan njeraz, ede vendin, e tij se pothojn Makedonija, cilji, poroin aqe».
«Komb i thuhet atyre njerëzve që janë një fis, dhe kuvendojnë të njëjtën gjuhë, dhe që jetojnë e shoqërohen me njeri tjetrin, dhe kanë të njëjtat tradita dhe këngë dhe gazmende, këta njerëz quhen komb, dhe vendi ku jetojnë e quajnë atdhe të kombit. Kështu edhe shqiptarët janë komb, dhe ata që jetojnë aty e quajnë vendin e tyre Maqedoni».
Sipas studiuesit amerikan Victor Friedman, Pula jep tri paraqitje të ndryshme për kombin. Në tekstin maqedonisht ai paraqet një koncept që pajtohet me shtetin-komb tradicional etnik.
Por në kolonën shqip dhe turqisht, ai jep një përpjekje për të kuptimësuar kombin me konceptin modern qytetar të bazës së shtetësisë. Së këndejmi, ai pranon praninë e një numri të rëndësishëm të shqiptarëve në Maqedoni («cilji, poroin aqe» – që jetojnë atje). /konica.al/
© Salih Mehmeti | Konica.al