MENU
klinika

Historiografia

Sfetigradi i Skënderbeut mund të ketë qenë në Pellagoni

24.12.2019 - 07:03

Historiografia skënderbegiane ende nuk i ka dhënë përgjigjje çështjes së lokalizimit përfundimtar të kështjellës së Sfetigradit.

Megjithëse shënimet e kohës zënë n’gojesh në dhjetëra raste kështjellën më lindore të shtetit të Skënderbeut, pandehmat e hedhura ende nuk e kanë sqaruar përfundimisht vendndodhjen e saj, shkruan Konica.al.

Në literaturën profesionale Koxhaxhiku i sotëm në Dibër përmendet shpesh si vendndodhja e vërtetë e Sfetigradit.

Por, një supozim i tillë nuk i ka mbushur mendjen të gjithëve.

Historiani nga Kërçova, Ilmi Veliu ka stivuar një sërë arsyesh për pamundësinë fizike që Koxhaxhiku të jetë kështjella lindore e Skënderbeut.

Prej vitësh, ai është kandisur se Sfetigradi duhet të identifikohet me ca mbijetojca rrënojash në kodrinën e Drevnikut në fushën e Pellagonisë.

Rëndësia e një hipoteze të tillë rritet edhe për faktin që njohuritë tona mbi Skënderbeun dhe shtetin e tij do të fitonin një dimension të ri: kufiri i tij lindor përfshinte edhe një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme.

Profesori kërçovar ka ndërmarrë disa herë udhëtime në këmbë në fshatin Drevenik, që gjendet në rrugën midis Manastirit dhe Demir Hisarit.

Në librin e tij ‘Skënderbeu’, historiani Veliu ka renditur një sërë argumentësh, që, sipas tij, i japin të drejtë identifikimit të Sfetigradit me këtë fshat në veri të Manastirit.

Për çudi, ky fshat ende ka shqiptarë të cilët pjesën sipër kodrës e quajnë ‘kale’.

Nga vëzhgimet në terren del që pozicioni i kalasë së dikurshme në Drevenik përputhet mjaft mirë me përshkrimet e Marin Barletit.

Kodra është e lartë 1494 metra, dhe prej saj kundrohet një pjesë e madhe e fushës së Pellagonisë.

Dhe vërtetë përshkrimi i Barletit se Sfetigradi gjendej në një vend të ashpër dhe të paafrueshëm sikur gjen përligjje me konfiguracionin malor.

Një tjetër fakt habitës është edhe prania e burimeve të shumta të ujit në kodrën e Drevenikut. Duke përshkruar rrethimin e kështjellës së Sfetigradit nga ushtritë osmane, Barleti përmendte sesi qytetarët e kalasë arrinin t’i shuanin me lehtësi zjarret.

Rruga në veriperëndim të kështjellës ka fshatrat Suvodoll, Tërnoc dhe Obednik, që të gjitha të banuara edhe sot e kësaj dite me shqiptarë, siç mund të shihen në hartën e mëposhtme. /konica.al/

© Salih Mehmeti | Konica.al