Poeti Petrit Ruka, ka kritikuar ashpër këngëtaren e njohur, Elvana Gjata, e cila ishte pretendetja kryesore për të fituar “Festivalin e 58-të të Këngës” në RTSH, me këngën “Me Tana”.
Poeti Ruka, ndalet pikërisht te kënga e saj, duke thënë në një mesazh në “Facebook”, se “dikur, një këngë me një tekst të tillë, nuk ta lejonin ta këndoje as në hale”.
Më tej, duke e cilësuar transmetimin e këngës në festival një tmerr artistik, poeti theksoi se organizatorët e këtij festivali duheshin “arrestuar” në sallë, për krim ndaj gjuhës shqipe dhe fyerje të rëndë të dinjitetit të kulturës kombëtare shqiptare.
Postimi i plotë:
TMERR ARTISTIK DHE NJË URGJENCË KOMBËTARE
Jap e marr ta kuptoj këtë tekst të ndyrë që më doli para dhe nuk ia dal dot. Kjo quhet këngë…dhe qenka transmetuar në Festival. Me një tekst të tillë dikur nuk të linin të këndoje as në hale.
Shijoheni.
Teksti: Elvana Gjata
Këndon: Elvana Gjata
Kupton: Elvana Gjata
5 milion shqiptarë paguajnë RTSH për ndyrësi të tilla dhe na na na-n e saj…
Tmerr artistik.
Organizatorët e këtij festivali duheshin “arrestuar” në sallë për krim ndaj gjuhës shqipe dhe fyerje të rëndë të dinjitetit te kultures kombëtare shqiptare.
Duhet hartuar me ngut një ligj i posaçëm që këngët në Festivalin e RTSH duhet të vijnë patjetër në standard dhe të kenë poshtë firmën aprovuese të dhjetë poetëve më të mirë të vendit. Unë vetë nuk do ta pranoja këtë tekst edhe sikur të vinte me muzikën e Ennio Morricone-s.
“Ti kam fal ty me tana
Me tana o me tana
Dashni me fal
O kush ka me ma nal?
A ma thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa
Ta di, dua ta di dhe sa
Kohën ndale, ndale
Të shkoj ngadale ndale
O më ngadale ndale
Na na na na na…”
…………………………
Turpi e mbuloftë emrin e atyre regjisorëve, udhëheqësve artistikë, prezantuesve, redaktorëve, kompozitorëve që kanë emrin në titrat e këtij produksioni me tekste të tilla. Një ditë bota do të qesh me të madhe me idiotësinë e tyre. Tallja e brezave që vijnë do t’i shoqërojë edhe aty ku do te jenë, në varr.