MENU
klinika

"Shkelën kontratën. Asnjë problem me..."

Shkarkimi i 4 minatorëve, reagon AlbChrome

28.12.2019 - 08:24

Duke marrë shkas nga disa spekulime që janë bërë ditët e fundit lidhur me largimin nga puna të 4 minatorëve nga ana e kompanisë AlbChrome shpk, dëshirojmë të sqarojmë mediat dhe opinionin publik si më poshtë:

Më 16 Dhjetor 2019, kompania AlbChrome është njohur zyrtarisht për krijimin e një sindikate të re, atë të Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. 21 minatorë nga 652 minatorët e AlbChriome na rezulton se janë pjesë e kësaj sindikate. 4 prej tyre pasi janë paralajmëruar disa herë për shkeljet e vazhdueshme të kontratës së punës dhe rregullores së brendshme të kompanisë, janë shkarkuar nga puna për vazhdimin e përsëritur të shkeljeve në fjalë, si mungesa të pajustifikuara në vendin e punës.

AlbChrome dëshiron të sqarojë se respekton të drejtën ligjore të çdo punonjësi për t’u grupuar në sindikata të tilla. Nëse kompania nuk do ta respektonte një të drejtë të tillë, reagimi i saj nuk do të kishte prekur vetëm 4 nga anëtarët e sindikatës së mësipërme, por edhe minatorë të tjerë të AlbChrome, të cilët sindikata në fjalë pretendon se janë anëtarë të saj. Nga ana tjetër, vërtet janë larguar 4 minatorë nga puna për shkeljet e përmendura, por janë punësuar menjëhere 4 minatorë të tjerë në vendet e tyre.

Dëshirojmë të sqarojmë gjithashtu se AlbChrome ka në fuqi një kontratë kolektive me Federatën e Sindikatave të Industrisë, anëtare e Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë.

AlbChrome i trajton punëtorët e saj me normë dhe u jep pagën e 13-të çdo vit. Ky trajtim, është më dinjitozi i mundshëm në krshasim me secilën prej 36 kompanive të tjera të shfrytëzimit të kromit në vend dhe ftojmë këdo që ta verifikojë nga pranë këtë.

Gjithashtu, nëse do të kishte patur ndonjë tendencë ndaj minatorëve apo sindikatave, AlbChrome nuk do të kishte punësuar 100 punonjës të rinj vetëm gjatë vitit të fundit dhe nuk do të hapte perspektivën për 200 punësime të reja në vijim falë investimeve të kryera vitin e fundit, të cilat kanë rritur ndjeshëm sigurinë për minatorët.

Sakaq, vërejmë me keqardhje se prapa 4 minatorëve të larguar nga puna dhe krijimit të sindikatës së tyre qëndron një lëvizje politike, e cila ka qenë amplifikatori që një ngjarje të zakonshme dhe të brendshme të një kompanie private, ta paraqesë si një çështje të rëndë dhe me pasoja edhe për minatorë të tjerë.

Sipas Kodit të Punës, kur punonjësi braktis vendin e punës dhe nuk njofton brenda 7 ditëve arsyen e mungesës, konsiderohet si zgjidhje e njëanshme e kontratës nga punonjësi (madje sipas kesaj dispozite, nenit 156, punëdhënësi gëzon të drejtën e dëmshperblimit).

Gjithashtu në kontratën individuale të punës, palët kanë parashikuar që kur punonjësi bën më shumë se 7 mungesa pa arsye në një vit, punedhënësi gëzon të drejtën e zgjidhjes se njëanshme të kontratës së punës. Kjo ka ndodhur edhe në rastet tona, megjithatë duam të theksojmë se largimi i tyre është bërë për shkelje të ndodhura përpara se ata ta vinin në dijeni kompaninë për krijimin e sindikatës.
Ftojmë të gjitha mediat që të vijnë të investigojnë nga prane ngjarjen, për të parë se si qëndron e vërteta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN