Prej kur shprehja e moçme “gjindja e shtëpisë” është zëvendësuar me shprehjen “robt e shtëpisë” kombi shqiptar nuk ka pa dritë.
Kjo mendësi e robit, mbizotëron kudo në jetën shqiptare dhe është një nga veset më të liga, që nuk na lë të bashkohemi dhe të ecim me vetëdije kah progresi.
Vërtet, mendësia e robit të shtëpisë, na ka shndërruar në komb të robëruar dhe të prapambetur.
E kur jemi çliruar prej të huajve, jemi robëruar nga vetvetja, sepse mendësia “robt e shtëpisë” s’ na ka lënë kurrë t’ i marrim flatrat e lirisë dhe t’ i shijojmë frytet e saj.
Si pasojë e kësaj mendësie, patriotizmi ynë vazhdon të mos jetë i kultivuar dhe i motivuar prej interesave të përgjithshme, por patriotizëm impulsiv dhe rrjedhojë e disa grupimeve rajonale, lokale, ideologjike, klanore, etj.
Ne jemi çliruar, por ende nuk kemi arritë – siç thoshte Konica- t’ i heqim zinxhirët e robërisë së mendjes- ata pranga shpirti, që na kanë bërë vërtet rob të mendësisë primitive.
Një komb nuk lartësohet kurrë me urrejtje, por me dashuri. Dhe dashuria vjen vetëm nga liria e plotë dhe jo nga mendësia e robit./ Marrë nga profili i Ndue Ukaj