MENU
klinika

“Kur ju jeni në pizhama, unë jam në uniformë”

Mesazhi prekës i policit, tregon sfidat në punë: Mos më sulmoni!

30.12.2019 - 08:57

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, me anë të një shkrimi ka treguar sfidat me të cilat ai përballet.

Polici Liridon Sadriu ka thënë se ai çdo herë është i gatshëm për detyrën e tij, për t’ua siguruar qytetarëve gjumin e qetë.

Sadriu ka thënë se çdo mëngjes i thotë lamtumirë gruas dhe fëmijëve, sikurse ajo të ishte hera e fundit.

“Me revole në brez, i gatshëm për t’jua siguruar gjumin e qetë. Ftohtë, borë, akull e shi, unë jam në detyrë, herë-herë edhe pa ngrenë e pa pirë.

Në çdo mëngjes i them lamtumirë gruas dhe fëmijëve të mi. Çdoherë i përqafoj për herë të fundit, ua dhuroj puthjen e amshimit. E sa herë kthehem në shtëpi, i ledhatoj fort e fort. Çdo natë jam i ringjalluri i tyre. Minutat e vonesës sime për familjen janë shekuj e shekuj”, ka shkruar ai.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Kur ju jeni në pizhame, unë jam në Uniformë …

Me revole në brez, i gatshëm për t’jua siguruar gjumin e qetë. Ftohtë, borë, akull e shi, unë jam në detyrë, herë-herë edhe pa ngrenë e pa pirë.

Në çdo mëngjes i them lamtumirë gruas dhe fëmijëve të mi. Çdoherë i përqafoj për herë të fundit, ua dhuroj puthjen e amshimit.

E sa herë kthehem në shtëpi, i ledhatoj fort e fort. Çdo natë jam i ringjalluri i tyre. Minutat e vonesës sime për familjen janë shekuj e shekuj.

Qytetarët e vendit tim janë të shenjtë për mua, edhe pse shpesh me shohin si tepricë kur i gjobis apo kur i qortoj për veprimet e tyre të paligjshme.

Mos më shikoni gjithmonë brenda uniformës, edhe unë jam sikurse ju, jam njëri prej jush, i cili kujdeset për sigurinë tuaj.

Më dhuroni lule për së gjalli, si shenjë respekti për punën dhe sakrificën time, e mos ma mbuloni varrin me kurora lulesh.

Pozita ime mund të duket privilegj, por është me rrezikshmëri të lartë. Paramendojeni veten për disa çaste në pozitën time, ku në çdo moment mund të ballafaqoheni me një padrejtësi, të përballeni me breshëri plumbash që shkrepen drejt trupit tuaj.

Nëse nuk me çmoni, të paktën mos me nënçmoni.

Kur jam në detyrë, harroj se jam prind dhe burrë i një gruaje, të cilët me presin me padurim t’ju shkoj i gjallë në shtëpi. Çdo natë! Harroj se jam djalë i një babai e një nëne, të cilët me rritën me aq mundim.

Asnjëherë nuk ngopem me ta! Sa nisëm për punë, them të kthehem e t’u marrë erë fëmijëve e gruas, ndoshta për herë të fundit; ta lus Zotin që t’i bekojë e të kujdeset për ta edhe nëse nuk do të kthehem sonte në shtëpi.

Sa darkat janë ftohur në sofër derisa familja më priste mua t’u bashkohem! Sa drekat e përbashkëta me familjen me mbetën në fyt kur shteti kërkonte t’u shërbeja qytetarëve.

Hezitoj t’u bërtas fëmijëve kur bëjnë sherre. Them se nesër mund të mos i shoh më dhe u mbetet shije e keqe e një prindi i cili ishte polic.

Gjithmonë me mall për familjen, vetëm për sigurinë e qytetarëve të mi.

Prandaj mos me sulmoni duke me parë si objekt pa ndjenja. Edhe unë jam prej mishi e gjaku, sikurse ju! Të mos i bëjmë nënat tona të lotojnë, gratë tona të vuajnë dhe ta kalojnë jetën në zi,por të jemi bashkë!

UNË POLICI YT!