Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar si gabim historik mosarritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Osmani ka thënë se pas zhvillimeve të 26 dhjetorit, kur është konstituuar kuvendi i Kosovës, ka qenë e nevojshme që të mblidhen organet e LDK-së edhe njëherë.
“Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK të mblidhen edhe njëherë. Këto takime kanë qenë të parashikuara për të premten por janë shtyrë për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve nuk janë në Kosovë. Të hënën do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetar. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë ajo.
Osmani e ka quajtur gabim historik për vendin nëse nuk bëhet marrëveshje VV-LDK.
“Nuk mund te flas se cili do të jetë qëndrimi i ri. Por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosje. Si bartëse e listës e LDK dhe përfaqësuese e votuesve e kam për detyrë që ta dërgoj vullnetin qytetar deri në fund. Do të insistoj deri në fund”, shtoi ajo më tej.
Sipas nënkryetares së LDK-së, këto ditë nuk ka pasur takime mes të dy partive.
“Nuk janë takuar, pas takimit të së hënës, pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj, e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar. Të krijohet besimi dhe të krijojmë një atmosferë më të mirë të komunikimit dhe bashkëpunimit që t’i hapet rrugë marrëveshjes”, tha Vjosa Osmani.