Inxhinieri austro-hungarez, Karl Shtajnmec (Karl Steinmetz), pas një vizite të gjatë në Amerikën e Jugut, udhëtoi shpesh në Perandorinë Osmane para se të depërtonte në pjesën më të panjohur dhe të egër të saj, malësinë e Shqipërisë së Veriut.
Në vapën e gushtit 1903, Shtajnmeci u nis nga Shkodra, nëpërmjet maleve të Veriut, për në Gjakovë dhe Prizren.
Pasi mbërriti në Shkup, në shtatorin e atij viti, ai u kthye menjëherë në Shqipëri, me një avullore, nga Selaniku për në Shëngjin, në udhëtimin e tij të dytë dyjavor, në Mirditë dhe në luginën e Drinit.
Në gusht 1904, Shtajnmec u kthye në Shqipëri dhe udhëtoi sërish përmes Malësisë së Madhe, kësaj radhe në Shkrel, Theth, Shalë dhe Mertur, për në Gjakovë, duke qenë se malësorët e penguan të vazhdonte për në Guci.
Udhëtimi i tretë në vitin 1908, e çoi në Mat dhe në luginën e Drinit të Zi, pra në krahinën e Dibrës.
Udhëtimet e Shtajnmecit, janë shënuar në të tre librat e tij, botuar në gjermanisht: “Eine Reise durch die Hochländergaue Nordalbaniens” (Udhëtim nëpërmjet Malësisë së Shqipërisë së Veriut), Vjenë 1904; “Ein Vorstoß in die nordalbanischen Alpen” (Depërtim në Bjeshkët e Shqipërisë së Veriut), Vjenë 1905; dhe “Von der Adria zum Schwarzen Drin” (Nga Adriatiku për në Drinin e Zi), Sarajevë 1908.
Shtajnmeci, së bashku me baronin Franc Nopça dhe me Edit Durhamin, konsideroheshin njohësit më të mirë të Shqipërisë së Veriut të asaj kohe.
Ai dinte shqip dhe ishte gjithashtu, autor i një gramatike dhe një fjalori: “Albanische Grammatik: nordalbanische Mundart” (Gramatika e Shqipes: Dialekti i Shqipërisë së Veriut), Sarajevë 1913; dhe “Deutsch-albanesisches Feldwörterbuch” (Fjalori ushtarak gjermanisht-shqip), Sarajevë 1913.
Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë nga të tre librat e Shtajnmecit, botuar në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë.