MENU
klinika

Buxheti 2020/ Ulen fondet për 11 institucione

Vëmendja tek Infrastruktura ‘e pëson’ Shëndetësia

04.01.2020 - 16:02

Tërmeti i 26 Nëntorit solli një ndryshim total në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit të këtij viti. Ndryshe nga sa është deklaruar më parë buxheti i 2020 nuk do të jetë 502 miliardë lekë por 509 miliardë lekë.

Buxheti i vitit 2020:

Ligji i buxhetit publikuar në fletoren zyrtare ka të reflektuara edhe të gjitha ndryshimet e bëra në të, ku në mënyrë të papritur janë ndryshuara të gjitha zërat e buxhetit, ku shumë institucione të deklaruara si prioritete të qeverisë janë penalizuar nga rishikimi.

Konkretisht fondi prej 7 miliardë lekësh që i është shtuar buxhetit pritet të sigurohet nga të ardhurat nga grantet ose ndihmat. Pikërisht ky është edhe zëri që ka pësuar ndryshime në buxhet, pasi ndryshe nga sa ishte në buxhetin fillestar, zëri i granteve është rritur nga 16 miliardë në 23 miliardë lekë.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit sipas grupit:

Kjo vlerë e shtuar është parashikuar të shkojë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa vlera tjetër prej 13 miliardë lekësh do të jepet nga shpenzimet e buxhetit të shtetit.

Përveç këtij ndryshimi ka pasur edhe një rishpërndarje të fondeve për ministritë dhe institucionet e drejtësisë. Janë 11 institucione të cilat kanë reduktim të buxhetit më masën e 2.7 miliardë lekëve.

Viktima të këtij rishikimi janë disa nga sektorët prioritarë të qeverisë. Ulja e mbështetjes buxhetore është më e lartë tek Ministria e Mbrojtjes me 790 milionë lekë, e ndjekur më pas nga Ministria e Arsimit me 555 milionë lekë më pak dhe e treta është shëndetësia me ulje të fondeve në masën e 350 milionë lekë.

Ulen fondet për këto institucione:

Ndërkohë buxheti është rritur për vetëm 4 institucione në vlerën e rreth 1.3 miliardë lekë. Konkretisht Ministria e Bujqësisë ka marrë 82 milionë lekë më shumë se buxheti fillestar duke shkuar në buxhetin final në vlerën e 11.112 miliardë lekë.

Është ministria e Infrastrukturës që ka marrë vlerën më të madhe të shtuar prej 715 milionë lekë, Ministria e Financave ka buxhet të shtuar 578 milionë lekë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë 1 milionë lekë.

Rriten fondet për këto institucione:

Buxheti i shtuar për Ministrinë e Bujqësisë pritet të ketë në fokus ngritjen e argjinaturave dhe përmirësimin e infrastrukturës së digave, një masë e shtuar e sjellë në vëmendje pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërkohë fondi i Ministrisë së Financave pritet të shkojë për bonusin e qirasë që përfitojnë familjet e prekura nga tërmeti dhe që kanë mbetur pa banesë.

E përkëdhelura e këtij buxheti të rishikuar duket se është Ministria e Infrastrukturës, e cila ka përfituar më shumë fonde të shtuara. Rikujtojmë se ministrja Belinda Balluku në Komisionet parlamentare e pati kundërshtuar e kritikuar këtë buxhet që sipas saj nuk përmbushte nevojat e kësaj ministrie si dhe penalizonte projekte të rëndësishme.

Tashmë buxheti i kësaj ministrie ka arritur në 40.858.630 lekë nga 40.143.630 lekë. Vetëm buxheti i SPAK mbetet i pandryshuar në vlerën e rreth 361 milionë lekë. Të gjitha këto ndryshime janë bërë të ditura vetëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rindërtimi, investimet dhe rritja ekonomike

‘Themelet’ mbi të cilat u ngrit buxheti 2020

Katër objektivat kryesorë

Banka e Shqipërisë miraton buxhetin 2020