Dy shpërthime me tritol kanë tronditur Shkodrën gjatë orëve të vona të natës. Shpërthimi i parë ndodhi në banesën e policit Prelë Milani me detyrë komandant poste në Theth.
Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar. Polici Prelë Milani sapo kishte dalë nga shtëpia rreth orës 22:45 për të shkuar në punë. Në shtëpi ndodheshin bashkëshortja dhe vajza e tij, kur papritur kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm. Nga ky shpërthim pati vetëm dëme materiale.
Shpërthimi ndodhi në zonën e Zooteknikës ku një sasi lënde plasëse e dyshuar si tritol ishte vendosur në pjesën e pasme të banesës së policit. Tritoli shpërtheu afër një barake ku nuk jetonte askush dhe përdorësh si magazinë nga familja. Pavarësisht shpërthimit, polici Prelë Milani nuk e ka kuptuar se ka ndodhur në banesën e tij, duke qënë se është me një oborr të madh dhe ka vijuar rrugën për të shkuar në punë. Familjarët pasi është larguar i kanë bërë të ditur se tritoli shpërtheu në shtëpinë e tyre.
Më pas erdhën ekspertët e policisë duke nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur në banesën e kolegut të tyre.Vetë polici Milani ka dyshime se kjo ngjarje ka ardhur për shkak të detyrës si polic dhe komandant poste në Theth. Çështja e kultivimit të drogës në Dukagjin vazhdon të jetë problem dhe efektivi Milani është përballur shpesh herë me asgjësimin e lëndëve narkotike si pjesë e policisë.
Ndaj dyshimet e para janë një sinjal për policin Milani. Në Dukagjin në një kohë të shkurtër kanë ndodhur dy vrasje në fund të 2019, teksa është vrarë Lazër Arra dhe pas tij Gjergj Krytha, që të dyja vrasje që mendohen se kanë ardhur si pasojë e kultivimit të bimëve narkotike. Polici Milani ka mohuar të ketë patur ndonjë presion, kërcënim apo konflikt të drejtpërdrejtë, dhe se nuk ka një ide se cilët mund të jenë autorët, por dyshon fort se shpërthimi me tritol në banesën e tij, mund të jetë një mesazh kërcënues për shkak të punës së tij të përditshme si efektiv policie. Ende policia nuk ka autor të dyshuar për këtë ngjarje dhe po punohet për identifikimin e tyre.
Shpërthimi i dytë me tritol, pak orë më pas ndodhi në fshatin Grudë e Re tek banesa e shtetasit Kolë Bungaja. Familja Bungaja ishte në gjumë, kur shpërthimi ndodhi rreth orës 01:40 minuta të mesnatës. Lënda plasëse edhe në këtë rast dyshohet se është tritol. Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Sasia e tritolit është hedhur në portën hyrëse dhe autorët janë larguar me shpejtësi.
Menjëherë familja Bungaja pasi ka parë këtë shpërthim të fuqishëm ka njoftuar policinë vendore të Shkodrës. Efektivët mbërritën në vendngjarje dhe nisën menjëherë hetimet. Familja Bungaja nuk ka ndonjë dyshim përse ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me persona të tjerë. Policia nuk ka autor të dyshuar as për këtë ngjarje, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Brenda një nate policia e Shkodrës dhe ekspertët u ndanë në dy grupe për shkak të dy ngjarjeve të ndodhura brenda 24 orëve.