Qasem Soleimani, i cili u vra nga një sulm ajror amerikan, i urdhëruar nga Presidenti Donald Trump në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit të premten, është konsideruar gjithmonë si hero në Iran, i guximshëm, karizmatik dhe i dashur nga të gjithë.
Por Shtetet e Bashkuara e konsideronin gjeneralin e lartë të Iranit si një vrasës të pamëshirshëm.
Si një nga njerëzit më të fuqishëm të Iranit, Soleimani ishte një figurë tejet e diskutueshme. Ai ishte kreu i Forcave Quds të Gardës Revolucionare, një njësi elitë që merret me operacionet e Iranit jashtë shtetit, dhe një që konsiderohet një organizatë e huaj terroriste nga SHBA.
Pasi filloi karrierën e tij ushtarake në luftën Iran-Irak gjatë fillimit të viteve 1980, Soleimani u bë një figurë me peshë në Iran, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e ndikimit të tij në Lindjen e Mesme.
“Ai ka luftuar gjithë jetën e tij. Ushtarët e duan atë. Ai është një njeri i qetë, karizmatik, një gjeni strategjik,” i tha CNN gjenerali Mark Hertling, pjesë e sigurisë kombëtare në Iran.
Pentagoni thotë se Soleimani dhe trupat e tij ishin “përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të shërbimit amerikan dhe të koalicionit dhe plagosjen e mijëra të tjerëve”.
I njohur si “komandanti në hije” i Iranit”, Soleimani, i cili kishte udhëhequr Forcat Quds që nga viti 1998, ishte ideatori i operacioneve ushtarake iraniane në Irak dhe Siri.
Zyrtarët amerikanë besojnë se gjatë luftës në Irak, ishin njësitë e Soleimani ato që u siguruan kryengritësve Irakianë bomba, një armë vdekjeprurëse kundër forcave amerikane, një pretendim që Irani e mohoi.
Gjatë luftës kundër ISIS, Soleimani gjithashtu raportohej shpesh që ishte në fushat e betejës në Irak, brenda dhe jashtë vendit për të ndihmuar forcat shiake irakiane që të luftonin militantët ekstremistë.
Zyrtarët e Thesarit të SHBA thonë se Soleimani ishte përfshirë në një komplot famëkeq në tokën amerikane, në vitin 2011, kur forcat e udhëhequra prej tij u përpoqën dhe nuk arritën të vrisnin ambasadorin e Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara Adel Al-Jubeir.
Në një deklaratë të Premten, Departamenti i Mbrojtjes tha se Soleimani “po hartonte plane për të sulmuar diplomatët amerikanë dhe anëtarët e shërbimit në Irak dhe në të gjithë rajonin”.
At fajësuan kshtu gjeneralin iranian për sulmet në bazat e koalicionit në Irak në muajt e fundit, përfshirë një sulm më 27 dhjetor që arriti kulmin me vdekjen e një kontraktori amerikan dhe personelit irakian.
Përkthyer dhe përshtatur nga CNN/ konica.al