MENU
klinika

UNESCO

“SHBA dhe Irani, kujdes zonat kulturore!”

07.01.2020 - 13:00

      Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) kërkoi nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara që të respektojnë konventën, që i kushtëzon shtetet të ruajnë zonat kulturore.

Thirrja vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi se mund të sulmojë trashëgiminë kulturore të Iranit, raporton REL.

Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, kujtoi se edhe Teherani, edhe Uashingtoni kanë nënshkruar konventën e vitit 1972, sipas të cilës, vendeve u ndalohet të ndërmarrin “masa të qëllimshme që mund të dëmtojnë drejtpërdrejt ose indirekt, trashëgiminë kulturore dhe natyrore” të shteteve të tjera.

Në një takim me ambasadorin iranian në UNESCO, Azoulay, po ashtu, tha se dy vendet kanë nënshkruar edhe një konventë të vitit 1954, për mbrojtjen e pronës kulturore në rast të konfliktit të armatosur.

Azoulay theksoi, se komuniteti ndërkombëtar e ka për detyrë të ruajë dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore për brezat e ardhshëm.

Të shtunën, Presidenti Trump, përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë disa lokacione të rëndësishme kulturore të Iranit, nëse ky i fundit sulmon personelin apo asetet amerikane, si hakmarrje për vrasjen e komandantit të forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se sulmet e tilla do të përbënin “krime lufte”. Irani, mësohet të ketë 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore në UNESCO.

Mes tyre, renditet sheshi “Meidan Imam” – i njohur gjithashtu, si Naghsh-e Jahan – në qytetin Isfahan, që është ndërtuar nga shahu Abbas I, në fillim të shekullit 17.