Në një mesazh në “Facebook”, përfaqësuesit e Aleancës shkruajnë se janë mrekulluar nga thellësia njerëzore, përgatitja kulturore, njohja dhe gatishmëria e ambasadores për të dëgjuar shqetësimet e artistëve.
Ndër të tjera, artistët shkruajnë se kanë mbështetjen e ambasadores për qëndrimin e tyre për Teatrin Kombëtar, ndërsa shtojnë se ajo që ata po bëjnë është lufta e vërtetë kulturore.
“Pas takimit me zonjën Elsa Håstad, ambasadore e Suedisë në Shqipëri. Jemi të mrekulluar nga thellësia njerëzore, përgatitja kulturore, njohja e gatishmëria e saj për të na dëgjuar. Jemi të lumtur që mund të shpërndajmë rezultatin kryesor të këtij takimi:
Kemi mbështetjen e ambasadores Håstad për qëndresën tonë për Teatrin Kombëtar dhe Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit dhe vlerësimin për arritjen që kemi pasur me Europa Nostra. Kjo që ne po bëjmë është një luftë e vërtetë kulturore.
Së shpejti shpresojmë që të mirëpresim një trupë suedeze me një shfaqje në Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit”, thuhet në njoftimin e Aleancës.