MENU
klinika

"Na dha fjalën që nuk do e ndryshojë sistemin"

Sistemi zgjedhor/ Aleatët e Bashës: Nuk ia kemi ngenë të merremi me të…

09.01.2020 - 19:21

Aleatët e Partisë Demokratike kanë dakordësuar me kreun e opozitës, Basha që çështja e ndryshimeve në sistemin zgjedhor të jetë objekt i disktutimeve më të gjera se ato që pritet të bëhen tani në Kodin Zgjedhor.

Në një intervistë për ABC News, aleatët e Partisë Demokratike, Fatmir Mediu dhe Agron Duka theksojnë se parësore janë fillimisht çështa e shit-blerja së votës.

“Primare duhet të jetë eliminimi i shitblerjes së votës, interferimi i procesit të zgjedhjeve dhe dekriminalizimi i politikës.

Në bazë të këtij vullneti mendoj që ndërtohet çdo vullnet tjetër pozitiv për sa i përket sistemit”, thotë Mediu.

“Partitë e vogla, aleate të opozitës por edhe ato të mazhorancës nuk kanë interes në këtë lloj sistemi”, thotë Duka.

Dy aleatët e Partisë Demokratike nuk e thonë me bindje nëse vendimi për të shtyrë diskutimet për sistemin zgjedhor është një taktikë politike e kreut të opozitës, por mundësisë për një marrëveshje Rama-Basha sqarojnë se nuk i tremben.

“Ne kemi arritur t’i marrim fjalën Bashës, dhe ai e ka thënë publikisht se në një moment të dytë, pasi të shohim problemet në Kodin Zgjedhor do të shohim patjetër edhe sistemin zgjedhor”, tha Duka.

“Nuk kam asnjë lloj ndroje. Po të ketë një marrëveshje jo-transparente, dëmin padyshim do ta ketë opozita, shoqëria shqiptare, dhe padyshim Z. Basha”, tha Mediu.

Në nisje të sezonit të ri politikë, Duka e Mediu i sugjerojnë opozitës të përdor armën e saj më të fortë përballë qeverisë, protestën.

“Pjesë e aksionit opozitar natyrisht do jenë ato që ne kemi bërë edhe më parë, demaskimi i qeverisjes, problematikat që ka sot vendi jo vetëm politik por edhe ekonomik”, tha Duka.

“Çështja është që opozita duhet të bëhet e madhe me qytetarët shqiptarë, kjo është shumë e rëndësishme.

Opozita duhet të ndërtojë nuklin moral të shoqërisë, i cili nuk ka të bëjë vetëm me idetë por ka të bëjë edhe me gjithë asamblin e njerëzve të cilët duhet ta përfaqësojnë atë në qeverisje dhe në Parlament.

Veprimi i aksionit opozitar nuk është vetëm reforma zgjedhore, aksioni opozitar është padyshim bashkëbisedimi, bashkëpunimi me qytetarët, alternativa dhe njëkohësisht protesta”, tha Mediu.

Aleatët e Bashës tani kanë ndërruar mendim për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pasi kreu i PD-së me sa duket u ka premtuar edhe këtë radhë se do të jenë në listat e PD-së, për t’u zgjedhur deputetët në zgjedhjet e ardhshme.