Spitali i Durrësit është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mesnatës.
Zjarri ka rënë në sektorin e Kirurgjisë dhe ka përfshirë më pas edhe katet e tjera të spitalit, duke djegur kabinën elektrike, dhe për pasojë duke mbushur me tym pavionin dhe duke rrezikuar jetën e pacientëve nga asfiksia.
Shkak për rënien e zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Punonjësit e spitalit ishin të parët që vunë në lëvizje pacientët, ndërkohë që në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse e policia, duke bërë të mundur evakuimin e pacientëve dhe materialeve në spital.
Bashkë me zjarrfikësit e Durrësit, në shuarjen e flakëve dhe evakuimin e pacientëve u angazhuan dhe zjarrikëset e Shijakut. Ndërkohë, nuk ka ende një reagim zyrtar për zjarrin, por fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar.