Spikerja e parë e lajmeve në RTSH, Stoli Beli, është përcjellë për në banesën e fundit në moshën 91-vjecare. Puna e saj në shërbim të informimit, edukimit dhe argëtimit të publikut të gjerë është vlerësuar ndër vite.
Data 29 prill e vitit 1960, ka qenë një ditë historike për gazetaren, spikeren dhe redaktoren e parë në ekranin shqiptar. Beli është prezantuar përpara teleshikuesëve në studion e parë Televizive Shqiptare me fjalët “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë “Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar.”
Ajo e filloi karrierën një kohë kur gjithë programet ishin drejtpërdret, pa një studio regjistrimi. Stoli nuk ishte vetëm spikerja e parë në ekran, por më pas u bë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë.
Ende sot e kësaj dite mbetet një nga figurat më të dashura të spektatorëve. Miqtë, të afërmit dhe kolegët janë prekur nga ndarja e saj nga jeta.
Një prej tyre është regjisori Xhelil Aliu i cili kujton eksperiencën e saj në dekada në televizion dhe shkruan se në ceremoninë mortore ndodheshin pak njerëz dhe se televizioni ku ajo punoi tërë jetën duhet të gjendej pranë në këto momente të fundit.
Edhe pasi filloi punë në televizion, sërish nuk e la punën në radio. Punonte edhe aty si redaktore, por edhe ka shkruar tregime e përralla.
Për televizionin dje dhe sot ajo do të shprehej kështu: “Sot rinia po kalon një situatë të vështirë. Ka shumë papunësi, por ka dhe shumë liri. Pra, dy situata që duhen ekuilibruar. Kjo vjen edhe nga televizionet, të cilët nuk kanë gjetur dot emisionet e duhura, që rinia të gjejë veten dhe të rrijë para ekranit. Edhe në ato orë që rri para tij, rinia shikon filma rozë, filma horror, si dhe spektakle ku mbizotëron fjala fyese, fjalori zhargon dhe pa etikë”.
Një nga pengjet e spikeres që lexonte më shumë libra e shihte pak tv kohëve të fundit pasi sipas saj, në to ka shumë politikë, është mungesa e titullit “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
“E kanë marrë shumë vete, këngëtarë, artistë, futbollistë, po unë që hodha themelet, që dhashë lajmin e parë në televizionin e parë shqiptar, me 31 vite karrierë, nuk më takon ky titull?”– do të shprehej ylli që u shua, por asnjëherë në kujtesë, spikerja e parë e ekranit shqiptar, e Radio Televizionit Shqiptar, Stoli Beli.