Ditën e sotme 13 Janar në orën 14:00, zhvillohet seanca e parë paraprake për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, pasi u morën të pandehur për akuzën e falsifikimit të formularëve.
Në seancën paraprake gjykata mund të marrë një nga tre vendimet e mëposhtme; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.
Lulzim Basha, u mor i pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, për lobimin 675 mijë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë offshore Biniata Trade, për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Në bankën e akuzës janë edhe ish-sekretari i Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financieri i kësaj force politike Ilir Dervishi.
Tre personat akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve dhe formularëve”, pasi nuk kanë bërë deklarimin e shumës në pasqyrat financiare të Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa hetimet për “Pastrim të produkteve të veprës penale” u pushuan.
Por sa vite burg rrezikon kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD nëse provohen akuzat për falsifikim? Neni 190/3 bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe cfarë e lidh me rusët?
Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.