MENU
klinika

Veterani 52 vjeçar

35 vite karrierë, Miura thellon rekordin

13.01.2020 - 12:31

Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe në Japoni e dijnë fare mirë këtë. Për diçka të tillë ka menduar edhe skuadra më e re që i është bashkuar elitës së futbollit japonez, Yokohama.

Ngjitja në Kategorinë Superiore është shoqëruar edhe me dhurata për ish-sulmuesin e kombëtares së Japonisë, Kazu Miura. Rekordmeni japonez ka rinovuar edhe për një tjetër sezon me skuadrën bregdetare.

Ai do ta festojë ditëlindjen e tij të 53-të në fushën e blertë. Miura është lojtari më i vjetër që vijon karrierën futbollistike, teksa sezoni i ri do të jetë i 35-i si profesionist.

Sezonin e kaluar kontributet e tij ishin minimale, pasi ai luajti vetëm në 5 takime, me një total prej 233 minutash, por pa arritur të gjejë golin.

Megjithatë, ekipi ku aktivizohet edhe veterani futbollist arriti që të sigurojë promovimin në kategorinë më të lartë të futbollit japonez. 52-vjeçari rikthehet kështu në elitë pas 13 vitesh mungesë.

Kampionati në Japoni nis më 23 shkurt, me Miuran që mund të marrë minuta në takimin mes Yokohama dhe Vissel Kobe. Përpos rekordeve të njëpasnjëshme, Miura “fitoi” tifozë në Europë pas eksperiencave të shkurtra te Dinamo Zagreb në Kroaci dhe Genoa në Itali.