Serena Williams më në fund ia del mbanë. Gati 3 vjet nga triumfi i saj i fundit në Australian Open 2017, “pantera e zezë” ka fituar në turneun e Auckland, duke mundur 2-0 (6-3, 6-4) në finale patrioten e saj Jessica Pegula.
Gjatë 18 muajve të fundit, kur u rikthye në fushë pas lindjes së vajzës së saj, tenistja 38-vjeçare i është afruar shumë fitores, madje duke humbur disa finale grand slam. Por këtë herë ajo ia doli mbanë, duke treguar se është gati për Australian open.
Serena bëri një paraqitje të mirë në këtë turne, duke dominuar në çdo ndeshje. Ajo nuk fitonte një turne prej 1079 ditësh, por këtë herë ajo arriti të thyejë tabunë dhe të rrëmbejë një trofe.
Por përveç suksesit, tenistja amerikane është treguar bamirëse. Të ardhurat nga fitimi këtij turneu ajo i ka dhuruar për familjarët e viktimave që humbën jetën nga zjarret në Australi.
Serena Williams do të udhëtojë menjëherë në Australi, për t’u bërë gati për turneun që starton më 20 janar. Ajo kërkon të ambientohet menjëherë me klimën.