MENU
klinika

Si s’ke turp me arrestue patriotin e madh Pater Ciril Canin...?!

Historia e priftit që Ahmet Zogu e emëroi kapiten të ushtrisë

18.01.2020 - 07:13

Sa herë flitet për figurën e Ahmet Zogut, në pah del një njeri me një karakter të vështirë për t’u kuptuar. Kompleksiteti i figurës së tij qëndron në aftësinë për të kaluar në të gjitha shkallët e hierarkisë shtetërore. Por, falë mungesës për thuajse 50 vjet të një historie të saktë në lidhje me figurën e tij, histori që nuk bazohej në shtrembërime ideologjike, akoma as sot nuk kuptohet saktësisht mënyra se si Zogu arriti të ngrinte shkallët e hierarkisë.

Para pak kohësh, në Konica.al është botuar një artikull i cili tregonte se Ahmet Zogu ishte detyruar të vishej si prift për t’i shpëtuar arrestimit nga Austro – Hungarezët të cilët donin ta arrestonin si nip të Esat Toptanit. Ndërsa tani, duke marrë një ligjëratë të Atë Zef Pllumit të botuar në librin “Ut Heri Dicebamus” në kapitullin “Histori kurrë shkrue”, po ju paraqesim një tjetër veprim që Ahmet Zogu ka bërë.

Një ndër figurat më të rëndësishme patriotike e kombëtare, ndonëse përmendet shumë pak, është Atë Ciril Cani, pinjoll i familjes Cani, e njohur në qytetin e Shkodrës e cila ndonëse origjinën e ka nga malësia, erdhi në Shkodër dhe la një shije aq të mirë, sa rruga ku dikur ato banonin mban sot emrin “Canej”.

Pasi Atë Cirili u shugura meshtar, ai shërbeu në Shalë, ku, duke pasur një emër të vështirë, u “ripagëzua” me emrin Dedë. Ai shërbeu atje në pjesën më të madhe të jetës së tij.

Fill pas mabrimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte e kërcënuar jo vetëm nga ushtritë italiane që kishin pushtuar Shqipërinë thuajse në të gjithë territorin e saj, por edhe nga Greqia në jug dhe sllavët në veri. Ato kishin synime të qarta: të pushtonin Shkodrën.

Pasi ushtria sllave hyri nga Dibra dhe Mirdita, mësynë drejt Shkodrës, ku, gjatë rrugës, në Koplik, u zhvilluan luftime të përgjakshme. Në këtë luftë mori pjesë edhe Ahmet Zogu i cili në atë periudhë shërbente si Ministër i Luftës. Ai qëndronte në Tiranë, por shpesh shkonte në Koplik për të inspektuar atë front lufte i cili përbëhej krejtësisht nga forca vullnetare.

Komandant i atij fronti asaj kohe ishte Padër Ciril Cani të cilit Ahmet Zogu i dha gradën “kapiten”. Për këtë, Dom Lazër Shantoja shkruan për Padër Cirilin “me tre hyj në fyt” sepse gjatë asaj kohe, ashtu ishin uniformat ushtarake. Kështu Padër Cirili, jo më i veshur si prift françeskan, por si oficer, komandonte frontin me një zotësi të pashoqe. Kjo ishte lufta e tij e fundit në mbrojte të Atdheut.

Nëse bëjmë një retrospektivë dhe shkojmë në vitin 1911 kur u zhvillua Lufta e Vrakës mes Malësisë së Madhe e cila gjeti mbështetjen edhe të krahinave të tjera katolike dhe Turqisë, do të shohim se si, pas urdhrit që dha Musa Juka si kryetar i Beldijes (Bashkisë) së Shkodrës që shkodranët myslimanë të luftonin krah turkut në atë luftë dhe pas kapitullimit të këtij të fundit, në Musa Jukën u ngjiz një urrejtje për Padër Cirilin.

Padër Cirili, pasi ushtritë e Malësisë së Madhe dhe krahinave të tjera ku përfshihej edhe krahina, frontin ushtarak të të cilit ai drejtonte, fitoi luftën, i detyroi të gjithë ushtarët shkodranë të kalonin nën dy pushkë të gjata në formë trekëndëshi çka ishte turpërimi më i madh që mund t’i bëhej ushtarëve.

Musa Juka nuk e harroi asnjëherë këtë dhe, kur në dhjetor të 1925 Legaliteti triumfoi dhe Ahmet Zogu u kthye në Atdhe, Juka urdhëroi arrestimin e Padër Cirilit sëbashku me të gjithë opozitarët shkodranë.

Në fakt, Padër Cirili nuk bëri burg thuajse fare sepse, kur Ahmet Zogu po kontrollonte listat e të burgosurve dhe pa emrin e tij, thirri Musa Jukën dhe i tha: Si s’ke turp me arrestue patriotin e madh Pater Ciril Canin, që ka luftu kundra ushtrive serbe?! dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.