Kurgja ma shumë të përhapun në Ballkan s’ka sesa albanofobia, por ne, sot e gjithë ditën, vazhdojmë mos me e pas të njohtun as si shprehje dhe as si koncept.
E përdorun për herë të parë te Arshi Pipa (1982) e Anna Triandafyllidou (2002), albanofobia âsht ma shumë sesa veç nji stereotip. Asht nji frikë e papërmbajtun, poaq sa edhe urrejtje psikosomatike, që veç brenda nji shekulli ka prodhue elaborate shpërngulje (1937), traktate akademike kundër çdo ekzistence politike shqiptare («Plava knjiga», 1977) e deri te operacione ushtarake si «Potkoi» (1999).
Nji kërkim i thjeshtë në Google me termin «albanofobi» jep veç 9,270 rezultate, kurse ai me «shqiptarofobi» përfton veç 1,860 rezultate. Gjithnji simbas rezultateve të motorëve të kërkimit, fjalëkërkimi «islamofobi» prodhon 177,000 rezultate, ai me «katolikofobi» 118, kurse me «ortodoksofobi» veç 8 rezultate. Po pse kjo pasqyrë e përmbysun?
Do sene duhet me i thanë pa e ba hesap korrektesën politike: frika e urrejtja e vetme në rajon ka si poligon qitje gjithçka me parashenjën shqiptare.
Kurse çdo subidentitet, me kushtin që mos me qenë shqiptar, historikisht u inkurajue në Jugosllavinë monarkike, atë komuniste dhe, në fund, atë millosheviqiane. Pra, jo me i mshelë xhamiat, por me i mshelë shkollat laike shqipe, jo me e mshelë medresenë, por Universitetin, Bibliotekën, Institutin, etj.
Ndërkohë, propaganda e desperadove islamikë e ka natyralizue aq fort termin «islamofobi» sa tashmë ai shihet si nji licensë morale me e defamue e stigmatizue secilin që i kundërvihet prozelitizmit turkoislamik.
Për aq sa ekzistojnë qendra antishqiptare e kjo psikozë albanofobie, çdo lloj subidentiteti fillon e maron në dyer shërbimesh informative.