Më 11 korrik të 1926 mbërrin në Uashington ministri fuqiplotë i legatës shqiptare, Faik Konica. Duke qënë se Shqipëria nuk kishte patur kurrë legatë në Uashington, arritja e Faikut pritej me kërshëri të natyrshme nga shtypi.
Intervistën e parë si ministër i legatës shqiptare Faiku e dha për një gazetare të agjensisë së lajmeve Associated Press që erdhi për ta intervestuar në hotelin Neë Ëillard, njëra nga pyetjet e para ishin për gratë.
GAZETARJA: Zoti ministër, ju pëlqejnë gratë amerikane?
KONICA: Në Amerikë ka një përqindje më të madhe grash të bukura se në cilido qytet tjetër të botës, me përjashtim të Vjenës.
GAZETARJA: Po jeta e qarqeve shoqërore në Uashington, si ju duket?
KONICA: Oh, ajo nuk më intereson aspak dhe nuk kam ndërmend të luaj “lojën sociale” në kryeqytet. Madje i kam pasë refuzuar ofertat për të përfaqësuar Shqipërinë si diplomat në Londër e Romë pikërisht për shkak të mospëlqimit që kam për shoqërinë e lartë.
Biseda u hodh pastaj te stili bob i flokëve të grave që, në atë kohë, ishte bërë i modës në Perëndim, aq sa përshkruhej si epidemi prej disave. Krijesë e kërcimtares Helen Castle, flokët e prera në nivelin e nofullës kishin hyrë si një zgjidhje praktike për ato gra amerikane, të cilat gjatë Luftës së Parë Botërore punonin nëpër uzina. Në Amerikë ishte hapur debati nëse flokët e prera shkurt ishin shenjë emancipimi.
GAZETARJA: Zoti ministër, a tregojnë flokët bob emancipim?
KONICA: Në vendin tim, në Shqipëri, gratë e praktikojnë këtë stil që prej dy mijë vjetësh, madje tani flokët bob kanë dalë mode. Për mua, gjithë kjo zhurmë është e pashpjegushme, sepse stili bob nuk ka lidhje me emancipimin.
GAZETARJA: Cili është hobi juaj zoti ministër?
KONICA: Teatri. Kam shkruar edhe vetë drama, megjithëse punimet e mija më të mira janë esetë. Më pëlqen shumë Shekspiri dhe gjatë pesë viteve që jetova në Londër kam parë çdo pjesë të Shekspirit që është shfaqur atje. Tani jam duke përkthyer në shqip Nata e Dymbëdhjetë mirëpo loja e fjalëve që përdor Shekspiri ma bën të vështirë punën.
GAZETARJA: Pra, ju vazhdoni të shkruani edhe tani që jeni bërë ministër?
FAIKU: Patjetër, nuk do të heq dorë nga shkrimet, edhe pse jam në shërbim diplomatik.
GAZETARJA: Cilët shkrimtarë amerikanë pëlqeni më shumë?
FAIKU: Për mua më të pëlqyerit janë Henry Louis Mencken, Theodor Dreiser, Sherwood Anderson dhe James Branch Cabell, ndërsa si dramaturg më pëlqen irlandezi George Bernard Shaw.
GAZETARJA: Për çfarë ka nevojë më shumë sot vendi juaj, zoti ministër?
FAIKU: Shqipërisë i duhen biznesmenë amerikanë për të zhvilluar industrinë e saj. Biznesmenëve evropianë nuk u zihet besë, pasi kurrë s’merret vesh nëse ata nuk nisen nga motive politike. Amerikanët janë më të pëlqyer sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.
Marrë nga libri i Ilir Ikonomit, Faik Konica Jeta në Uashington.