Biznesmeni spanjoll Eugenio Galdon, i cili në verë zgjodhi Shqipërinë për të kaluar pushimet, por u sulmua nga Mihal Kokëdhima, pronari i lokalit “Panorma” në Porto Palermo, do të rikthehet në vendin tonë, por me një tjetër synim.
Eugenio Galdon ka pohuar se do të kthehet në Shqipëri, për të dhënë kontributin e tij, pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor, e që shkaktoi 51 të vdekura, e mijëra banesa të shkatërruara.
Biznesmeni do të rindërtojë një shkollë të dëmtuar nga tërmeti. Ai deklaroi se kontributi i kësaj familje, do të vijë përmes Kryqit të Kuq, ndërkohë që edhe vetë djemtë e familjes Galdon do të jenë te pranishëm.
“Unë do të ndërtoj një shkollë të zonës së dëmtuar nga tërmeti. Ka shumë mënyra të ndryshme se ju mund të kontribuoni për vendin tuaj. Shqipëria është një atraksion i vërtet dhe ne kemi ndërmend të kthehemi shumë shpejt me anijet tona dhe të vizitojmë vendin tuaj të bukur”, premtoi Z. Galdon.
Familja Galdon në muajin gusht të vitit të kaluar ishte me pushime në Shqipëri dhe duke qenë se nuk ju pëlqeu shërbimi në një nga hotelet afër Porto Palermos ata u cuan për të ikur, por pronari i lokalit i ndoqi duke u hedhur në makinën e tyre dhe duke i kanosur me mjete të forta.